Kovaçevski me urim për Ditën e Faljes: Madhështia e njeriut është te falja, të bashkohet rreth vlerave të vërteta

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, në emër të Qeverisë dhe në emër të tij, ka dërguar një mesazh urimi për festën e Ditës së Faljes, kreut të Kishës Ortodokse Maqedonase - Kryedioqezës së Ohrit, Kryepeshkopit të Ohrit dhe Maqedonisë, z.z. Stefanit dhe anëtarëve të Sinodit të Shenjtë të Ipeshkvijve, si dhe të gjithë klerit meshtarak e monastik dhe të gjithë besimtarëve ortodoksë që kremtojnë festën.

“Mesazhi i festës së sotme është fisnik dhe i mbushur me vlera njerëzore, sepse madhështia e njeriut është te falja. Të falim dhe të falemi, të vazhdojmë në rrugën e ndërtimit të një shoqërie të suksesshme dhe të lumtur me qytetarë të barabartë. Të respektojmë njëri-tjetrin, të bashkohemi të gjithë së bashku rreth vlerave të vërteta dhe të sigurojmë paqe, miqësi dhe mirëqenie për çdo qytetar.

Mirëkuptimi dhe respekti i ndërsjellë janë baza për ndërtimin e një shoqërie të integruar ku do të respektohen të drejtat e njeriut dhe do të zhvillohen vlerat demokratike. Gëzuar festa edhe për shumë vite”, thuhet në urimin e Kryeministrit Kovaçevski.