Gjatë vizitës dyditore në Uashington, kryesuesi i OSBE-së dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, sot do të paraqitet para Komisionit të Helsinkit në Dhomën e Përfaqësuesve, ku do të mbajë fjalim me temën “Kryesimi i Maqedonisë së Veriut me OSBE-në në vitin 2023”.
Në prezantimin e tij ai do t'i referohet prioriteteve të Programit të Kryesimit të Maqedonisë së Veriut në vitin 2023, ndër të cilat fokusi më i madh është te njerëzit në terren në zonat e kërcënuara, si Ukraina, Moldavia, Europa Juglindore, por edhe mbi prioritetet e tjera si lufta kundër korrupsionit, sfidat ekologjike, promovimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, demokracia etj.
Agjendës së Osmanit i paraprinë takime me Uendi Sherman, Zëvendëssekretare e ShBA-së, si dhe me Derek Shole, Këshilltar i Sekretarit Shtetëror Entoni Blinken në administratën e Presidentit të ShBA-së Xhozef Bajden.
Në takimin me Sherman, Osmani shkëmbeu mendime për çështjet më me prioritet në raport me punën e OSBE-së, ndërsa diskutuan edhe për tema të tjera, që janë të rëndësishme për rajonin e OSBE-së. Iu referuan edhe partneritetit strategjik të Maqedonisë së Veriut me ShBA-në, i cili në maj të vitit 2023 mbush 15 vjet nga nënshkrimi i Deklaratës së Partneritetit Strategjik ndërmjet dy vendeve, dhe e riafirmuan kënaqësinë e ndërsjellë nga dialogu strategjik i suksesshëm, si avancim i rëndësishëm në marrëdhëniet bilaterale.
“Projektet dhe sferat e dakorduara në kuadër të dialogut strategjik me ShBA-në, tashmë janë pjesë e programit qeveritar të punës, në drejtim të përforcimit të institucioneve demokratike, progresi në sundimin e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit, tha Osmani në takimin me Sherman.
Në takimin me Derek Shole, gjithashtu temë diskutimi ishte mbështetja strategjike e ShBA-së në proceset e shumta të reformave në Maqedoninë e Veriut.
“Falë këtij dialogu strategjik, Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të bëjë hapa të mëdha drejt rritjes së prosperitetit të qytetarëve tanë, përmirësimin e sundimit të së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe përforcimin e institucioneve demokratike, - tha Osmani.
Në takimin me Shole, Osmani theksoi se edhe si aleat i ShBA-së në NATO Maqedonia e Veriut jep mbështetje për Ukrainën dhe vlerat bashkëkohore demokratike, si dhe u dënua fuqishëm agresioni rus ndaj Ukrainës.
Në kuadër të vizitës në Uashington, Osmani u takua me Erin Mekki, Ndihmësadministratore e USAID-it për Europë dhe Euroazi dhe Endru Herskovic, Kryedrejtor për zhvillim në Korporatën Ndërkombëtare Financiare për Zhvillimin e ShBA-së.
Përndryshe, Maqedonia e Veriut ishte vendi i parë nga Ballkani Perëndimor që filloi dialogun strategjik me ShBA-në, gjë që vërtet konfirmon marrëdhëniet tona miqësore, si në politikë, ashtu edhe në ekonomi, arsim dhe kulturë.
Në takimin me këshilltarin e Blinkenit, u diskutua edhe për prezantimin e konceptit të ri strategjik të A5, për të cilin Osmani tha se është detyra më sfiduese e Kryesimit në vitin 2023. Osmani tha se në këtë proces prioritet do të jetë forcimi i koordinimit të A5 shtetet anëtare të NATO-s, duke përcaktuar mekanizmat që do të mundësojnë angazhim më të madh të vendeve joanëtare të NATO-s (Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Serbia), si dhe intensifikimi i bashkëpunimit rajonal për çështjet aktuale që pasqyrojnë situatën aktuale të sigurisë.
Mbështetja e vazhdueshme politike dhe ekonomike e ShBA-së ishte gjithashtu temë e bisedës me Erin Mekki në reformat e fushave kyçe, si arsimi, drejtësia, administrata publike dhe ekonomia, por edhe mbështetja e ShBA-së përmes programeve të USAID-it, që sollën deri te forcimi i proceseve demokratike, institucioneve dhe shoqërisë civile.
Në takimin me Herskovic, i cili vjen nga një institucion financiar që investon në projekte zhvillimore në vendet me të ardhura mesatare dhe më të ulëta, Osmani iu referua mundësive të bashkëpunimit në projektet zhvillimore, dhe janë pjesë e planit veprues të dialogut strategjik me ShBA-në.
U shpreh gatishmëria e Republikës së Maqedonisë së Veriut për vendosjen e bashkëpunimit më të ngushtë me DFC-në, ndërsa hapi i parë do të ishte ftesa e drejtpërdrejtë për autoritetet përkatëse amerikane që të vizitojnë Maqedoninë e Veriut dhe të krijojnë një mision në terren që do të shërbejë si iniciativë për hapjen e një zyre të DFC-së në Maqedoninë e Veriut.