Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut mban mbledhjen e 134-të.
Në fillim të mbledhjes së Qeverisë, me ftesë të Kryeministrit Dimitar Kovaçevski, përfaqësuesve të Qeverisë iu drejtua ambasadorja e Mbretërisë së Suedisë, Ami Larson Xhejn, e cila u fokusua në prioritetet dhe aktualitetet e udhëheqësisë suedeze të Këshillit të Bashkimit Evropian.
“E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian”, tha ambasadorja suedeze Ami Larson Xhejn dhe theksoi se presidenca suedeze është seriozisht e përkushtuar ndaj këtij procesi, për të cilin, siç tha ajo, “situata gjeopolitike ka sjellë urgjencë të re. "
"Maqedonia e Veriut u tregua e përgatitur mirë dhe shumë profesionale në procesin e skriningut", tha ambasadorja suedeze Ami Larson Xhejn dhe përcolli mbështetje për procesin e mëtutjeshëm të integrimeve evropiane të vendit tonë.
Ambasadorja Larson Xhejn tha se përputhshmëria e politikës së jashtme dhe e sigurisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut me politikat e BE-së vlerësohet lartë në kontekstin aktual gjeopolitik.
Në fjalimin e saj, ambasadorja Larson Xhejn foli për prioritetet e presidencës suedeze - sigurinë, konkurrencën, energjinë e gjelbër dhe tranzicionin energjetik, si dhe ruajtjen e vlerave demokratike dhe luftën me krimin dhe korrupsionin.
Kryeministri Kovapevski shprehu mirënjohjen për faktin që presidenca suedeze në programin e saj e ka përfshirë dhe e përkrah promovimin e procesit të integrimit evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ka theksuar se prioritetet e presidencës suedeze, paqja dhe siguria, konsolidimi i vlerave demokratike dhe sundimi i së drejtës janë përcaktime themelore edhe të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Kemi një përbërje të rifreskuar të Qeverisë me një shumicë detyrimesh që lidhen me procesin e reformave evropiane. Shumica e re në Kuvend si dhe përbërja e re e Qeverisë u formuan pikërisht me këtë qëllim, një përpjekje për të përshpejtuar përmbushjen e detyrave të integrimit evropian dhe për të kontribuar në përfundimin me sukses të procesit të shqyrtimit dhe pas vitesh pritje, kalim në fazën tjetër cilësore - hapja e klasterit të parë kushtuar vlerave themelore”, tha Kryeministri Kovaçevski.
Kryetari i Qeverisë, Kovaçevski, theksoi se situata e re, gjeopolitike, shpreh edhe më shumë faktin se vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e patjetërsueshme e kontinentit dhe me rëndësi themelore për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe prosperitetit evropian. “Prandaj, shpresoj se Suedia, së bashku me presidencën e ardhshme spanjolle të BE-së në vitin 2023, do të vendosin një rrugë të qartë për zgjerimet e ardhshme të Unionit, pasi të plotësohen kushtet”, tha Kryeministri Kovaçevski.
Kryetari i Qeverisë, Kovaçevski, përshëndeti fokusin dhe arritjen e unitetit në Bashkimin Evropian, pa precedent, në lidhje me reagimin ndaj agresionit ushtarak rus kundër Ukrainës. “Maqedonia e Veriut, në kuadër të mundësive të saj, tashmë në mënyrë aktive mbështet fokusin e presidencës suedeze drejt mbështetjes më të madhe për Ukrainën, si dhe në avancimin e rrugës së tyre integruese evropiane, pas marrjes së statusit kandidat”, tha Kryeministri Kovaçevski.
Në mbledhje mbajtën fjalim edhe zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.
Zëvendëskryeministri Mariçiq theksoi rëndësinë e ruajtjes së perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Prioriteti ynë është të ruajmë vazhdimësinë në rrugën evropiane gjatë presidencës suedeze dhe mendojmë se është koha që kjo lëvizje të marrë më shumë vrull”, tha zëvendëskryeministri Mariçiq, i cila theksoi se Suedia është një mike e mirë e Maqedonisë së Veriut, që dëshmohet edhe përmes mbështetjes së saj me BE-në dhe në marrëdhëniet dypalëshe.
Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, shprehu mirënjohjen e tij që presidenca suedeze me BE-në në fokus të programit ka edhe integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke konfirmuar se e ardhmja e vendeve është në BE, gjë që është veçanërisht e rëndësishme në momentin aktual gjeopolitik.