Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski sot ka udhëhequr delegacionin qeveritar të përbërë nga ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska dhe ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratë, Azir Aliu në një takim pune me delegacionin e NATO-s të kryesuar nga zëvendës-ndihmës sekretari i përgjithshëm për Sfidat e Sigurisë Emergjente, Xhejms Apaturai.
Në takim, temë e bisedës ishin kërcënimet dhe sulmet hibride aktuale me të cilat po përballet Maqedonia e Veriut, si dhe vendet e tjera anëtare të Aleancës.
Të pranishmit në takim konfirmuan se bëhet fjalë për tentativa dashakeqe për të futur frikë dhe trazira te qytetarët dhe për të cenuar besimin dhe kredibilitetin në institucione.
Ministrat e pranishëm patën rastin të bisedojnë me ekipin e ekspertëve të NATO-s në drejtim të masave dhe aktiviteteve të ndërmarra deri më tani që sigurojnë stabilitetin dhe sigurinë e qytetarëve dhe për këtë arsye së bashku me shërbimet e sigurisë vlerësojnë situatën në vend si plotësisht të qëndrueshëm.
Në takim u diskutua edhe për ndërlidhjen mes fillimit të agresionit ushtarak kundër Ukrainës nga Rusia dhe koincidimin e të njëjtit me intensifikimin e sulmeve hibride në rajon dhe kundër anëtarëve të tjerë të NATO-s.
Zëvendës-ndihmës sekretari i përgjithshëm Apaturai theksoi se sfidat me të cilat përballet Maqedonia e Veriut janë sfida për anëtarët e NATO-s dhe se Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk do të merret më vetëm me kërcënimet hibride, ashtu siç nuk ka bërë deri më tani. NATO do të vazhdojë të ndajë njohuri dhe mbështetje teknike për të ndërtuar qëndrueshmëri afatgjate.
Kryeministri Kovaçevski falënderoi NATO-n për tërë mbështetjen që Maqedonia e Veriut merr në luftën kundër sfidave të reja të sigurisë dhe për hapat e ardhshëm të dakorduar në përforcimin e sigurisë kibernetike të shtetit.