Ministrja Federale e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Analena Berbok, sot, me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, qëndroi për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Bisedimet ndërmjet dy ministrave u fokusuan në procesin e anëtarësimit të vendit në BE, me ç’rast Osmani iu referua zbatimit të agjendës së BE-së si investim ardhmërinë europiane të vendit.
“Gjermania vazhdon të jetë një nga promotorët më të fuqishëm të integrimit europian të rajonit dhe në këtë kontekst dua të falënderoj për mbështetjen e fuqishme dhe të vazhdueshme që merr edhe vendi ynë. Maqedonia e Veriut ndodhet në një udhëkryq të rëndësishëm historik. Ta marrë fatin në duart e saj dhe të ecë me vendosmëri drejt anëtarësimit të plotë, gjatë së cilit viti 2030 është një qëllim ambicioz, por edhe i arritshëm, ose përsëri të hyjë në rishikim dhe ngecje. Perspektiva reale për gëzimin e katër lirive – për mallra, kapital, shërbime dhe fuqi punëtore – edhe gjatë negociatave duhet t’i mobilizojë të gjitha pjesët e shoqërisë dhe të çojë drejt dinamikës së re ekonomike”, theksoi Osmani.
Njëherit, falënderoi Gjermaninë për rolin e saj në ringjalljen e Procesit të Berlinit si bashkëpunim bazë dhe gjithëpërfshirës rajonal në nivelin më të lartë dhe si iniciatore e planeve të veprimit në Tregun e Përbashkët Rajonal të Ballkanit Perëndimor dhe Agjendën e Gjelbër.
“Maqedonia e Veriut e njeh rëndësinë e procesit të negociatave me Bashkimin Europian dhe për këtë qëllim do të investojë kapacitetet e saj politike dhe administrative në drejtim të zbatimit të agjendës europiane. Njëherit, si partner i besueshëm i BE-së dhe pjesë e bashkësisë ndërkombëtare të vlerave dhe parimeve, në ndërkohë presim më shumë përfitime praktike dhe rezultate të prekshme që dalin nga procesi i anëtarësimit”, nënvizoi Osmani.
Ministri, Osmani shprehu kënaqësinë e tij për shkëmbimin e madh tregtar me Republikën Federale të Gjermanisë, e cila vitin e kaluar arriti në pesë miliardë euro dhe vazhdon me një hap galopant edhe këtë vit, që paraqet tregues të qartë të përkushtimit të dy vendeve mike, të cilat në tri dekadat e fundit, në mënyrë aktive punojnë në forcimin e marrëdhënieve të ndërsjella dhe zhvillimin e bashkëpunimit të gjerë sektorial.
Ministrja gjermane, Berbok e konfirmoi mbështetjen e Gjermanisë për integrimin europian të Maqedonisë së Veriut dhe shprehu kënaqësi për gatishmërinë e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për t'u ballafaquar me sfida serioze, si ndryshimet kushtetuese, të cilat janë të një rëndësie të madhe për të vazhduar procesin e negociatave me qëllim për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian.
Në cilësinë e Kryesuesit të OSBE-së, Osmani e informoi bashkëbiseduesen për aktualitetet në lidhje me kryesimin e OSBE-së përmes prizmit të prioriteteve të përcaktuara, në të cilat Ukraina mbetet prioriteti ynë kryesor dhe çështje kyçe e sigurisë në kuadër të OSBE-së 2023. U vu në dukje roli dhe kontributi ynë aktiv në ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në rajon, me theks në kryesimin e ShBA-Karta e Adriatikut (A5), si dhe të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore (PBEJL).