Takim Ministror i ShBA – Karta e Adriatikut (A5) në Shkup: Kryesuesi Osmani lançoi proces për Koncept të ri Strategjik të Kartës

Në kuadër të Kryesimit të Maqedonisë së Veriut me SHBA – Karta e Adriatikut, në Shkup u mbajt takimi i parë joformal ministror, të cilin e drejtoi Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Në fokus të diskutimeve ishin mundësitë për forcimin e rolit politik të Kartës në kontekstin e situatave aktuale rajonale dhe sfidave të sigurisë, ku Osmani prezantoi qëllimin ambicioz - lançimin e një procesi për krijimin e Konceptit të ri Strategjik të A5, si dhe prioritete të tjera të kryesimit.

“Pas dy dekadave të ekzistimit, rrethanat gjeopolitike në rajon dhe më gjerë kanë ndryshuar dukshëm, e veçanërisht pas agresionit aktual ushtarak rus ndaj Ukrainës. Gjithashtu, A5 në shkallë të madhe e ka përmbushur qëllimin fillestar për të cilin u themelua. Sot, praktikisht të tre vendet themeluese, madje edhe Mali i Zi si anëtar i mëvonshëm i Kartës, janë anëtarë të NATO-s. Prandaj, qëllimi ynë është që A5 ta përshtatim me situatën aktuale dhe ta forcojmë rolin e tij politik në drejtim të përballimit më të lehtë të sfidave bashkëkohore të sigurisë dhe rajonale”, theksoi kryesuesi Osmani.

Njëherit, Osmani theksoi se ndër prioritetet e kryesisë së A5 janë angazhimet për forcimin e koordinimit ndërmjet vendeve të Kartës që janë anëtare të NATO-s, angazhimi dhe përfshirja më e madhe e vendeve të Kartës që nuk janë anëtare të Aleancës, si dhe zgjerimi i bashkëpunimit rajonal për tema aktuale si ballafaqimi me kërcënimet hibride dhe kibernetike, komunikimet strategjike, etj.

Takimi i sotëm u rrumbullakua me miratimin e Deklaratës së Përbashkët me mesazhe të rëndësishme, si: Mbështetje për politikën e dyerve të hapura të A5, përmes gatishmërisë për ta shqyrtuar sa më parë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në A5; dënimin e agresionit ushtarak rus dhe mbështetje për Ukrainën.

SHBA – Karta e Adriatikut përfaqëson nismën më të rëndësishme për promovimin e vlerave euroatlantike në rajon. Përveç Maqedonisë së Veriut, anëtarë të Iniciativës janë Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kroacia dhe Mali i Zi; ndërsa Kosova, Serbia dhe Sllovenia kanë statusin e vendeve vëzhguese. Si partner dhe bazë strategjike, në A5 është e pranishme edhe ShBA, gjë që kësaj Iniciative i jep peshë të veçantë politike.

 


 

DEKLARATË E PËRBASHKËT

Takim joformal i Komisionit të Partneritetit të Kartës së Adriatikut

Kryesimi i Maqedonisë së Veriut 2023

Shkup, 28 mars 2023

1. Ne, Ministrat e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Bosnjë dhe Hercegovinës, Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Përfaqësuesit e Republikës së Kroacisë, Malit të Zi dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u takuam në Shkup më 28 mars 2023 nën Kryesimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në një takim joformal të Komisionit të Partneritetit të Kartës së Adriatikut.

2. Shprehim mirënjohjen tonë për përfaqësuesit e Kosovës,*1 Serbisë dhe Sllovenisë për praninë e tyre në takim si vëzhgues, si dhe për mbështetjen e tyre të përgjithshme në kuadër të Kartës.

3. Këtë vit shënojmë 20-vjetorin e themelimit të Kartës së Adriatikut. Në 20 vitet e fundit, Karta ka prodhuar siguri dhe stabilitet në këtë pjesë të Europës. Karta ishte dhe mbetet një forum unik bashkëpunimi, i cili vazhdon të ketë rol të rëndësishëm në procesin e integrimit euroatlantik të vendeve të rajonit. Njëkohësisht me aktivitetet për arritjen e qëllimeve të saj themelore, Karta kontribuoi edhe në zbatimin e proceseve reformuese nacionale dhe ngriti dukshëm nivelin e bashkëpunimit rajonal.

4. E marrim parasysh faktin se 20 vjet pas formimit të Kartës, rrethanat kanë ndryshuar në mënyrë dramatike. Agresioni ushtarak rus ndaj Ukrainës ndryshoi rrënjësisht sigurinë europiane me pasoja veçanërisht të rënda, përfshirë edhe rajonin tonë. Shoqëritë tona demokratike janë të ekspozuara ndaj një sërë kërcënimesh joushtarake, asimetrike dhe hibride nga vepruesit shtetërorë dhe joshtetërorë, si sulmet kibernetike, fushatat e manipulimit të informatave, ndërhyrja e huaj në punët e brendshme dhe detyrimi ekonomik.

5. Nisur nga sfidat dhe kërcënimet aktuale dhe duke u mbështetur në vlerat demokratike, ne jemi të përkushtuar në thellimin e bashkëpunimit rajonal, duke dhënë përgjigje të përbashkët, strategjike dhe të koordinuar, përmes shkëmbimit të informatave, përvojave dhe praktikave më të mira dhe në ballafaqimin me kërcënimet e reja. Në këtë kontekst, ne mbetemi të përkushtuar në forcimin e bashkëpunimit tonë në luftën efektive kundër kërcënimeve kibernetike dhe hibride, si dhe për të vazhduar bashkëpunimin për të avancuar më tej aftësitë tona në nivelin e standardeve më të larta të NATO-s dhe BE-së në këtë fushë. Për këtë qëllim, siç thuhet në Deklaratën e Përbashkët të miratuar në dhjetor të vitit 2022, gjatë Kryesimit malazez të Kartës, e inkurajojmë procesin e përshtatjes së mëtejshme të Kartës.

6. E dënojmë fuqishëm agresionin ushtarak rus ndaj Ukrainës, i cili ka shkaktuar vuajtje të mëdha për popullin e Ukrainës. Kjo luftë gjithashtu i rrëmon sigurinë dhe stabilitetin në Europë dhe paraqet sulm serioz ndaj rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla.

7. Ne shprehim respektin tonë të veçantë për rezistencën dhe mbrojtjen e guximshme nga ana e Ukrainës, ushtrinë dhe popullin e saj gjatë agresionit të pajustifikuar ende në vazhdim nga Rusia. E ritheksojmë mbështetjen tonë të vendosur për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht. Ukraina ka të drejtën e natyrshme të vetëmbrojtjes për të siguruar pavarësinë dhe sovranitetin e saj dhe të drejtën për të zgjedhur në mënyrë të pavarur aranzhimet e veta të sigurisë.

8. Që nga fillimi i invazionit të plotë rus, ne kemi ofruar ndihmë politike, praktike dhe humanitare për Ukrainën. Deri më sot, shtetet e përzgjedhura anëtare të Kartës kanë kontribuar me rreth 32.7 miliardë dollarë në ndihmë ushtarake. Gjithashtu, vendet anëtare të Kartës dhuruan rreth 1.62 miliardë dollarë ndihmë humanitare. Ne jemi të gatshëm ta rrisim këtë mbështetje përmes masave të përbashkëta për të forcuar aftësinë e Ukrainës për të mbrojtur pavarësinë dhe integritetin e saj territorial.

9. Mbetemi të përkushtuar ndaj parimeve themelore të Kartës së Adriatikut, duke përfshirë politikën e saj të “dyerve të hapura”, si dhe shprehim vullnetin tonë për ta shqyrtuar kërkesën formale të Kosovës për anëtarësim sa më të shpejtë në Kartën.

10. E vlerësojmë iniciativën dhe përpjekjet e Republikës së Maqedonisë së Veriut për të zgjeruar në mënyrë përkatëse fushëveprimin e bashkëpunimit në kuadër të Kartës së Adriatikut gjatë Kryesimit së saj, duke përfshirë organizimin e këtij takimi joformal, ku diskutuan tema aktuale dhe thelbësore.