Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në Shkup, së bashku me Ministren për Evropë dhe Punë të Jashtme e Shqipërisë, Olta Xhaçka, Zëvendësministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, Kreshnik Ahmeti dhe Këshilltarin për politikë të jashtme të Kryeministrit. të Malit të Zi, Gjorge Raduloviç lançoi platformën e re "QUAD-i i Ballkanit Perëndimor - harmonizim 100% me politikën e jashtme të BE-së".
Fokusi i takimit ishte harmonizimi i plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së i të katër vendeve të grupit QUAD në dritën e realitetit të ri gjeopolitik, kërcënimeve hibride, krizës energjetike dhe pasojave ekonomike të shkaktuara nga invazioni rus i Ukrainës.
“Pas agresionit të Federatës Ruse ndaj Ukrainës, harmonizimi me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë, por edhe më gjerë me pozitat dhe vlerat e botës demokratike, u kthye në një nga prioritetet më të rëndësishme të vendeve që aspirojnë anëtarësimin në BE, por edhe si mesazh i qartë se ku përkasin këto vende”, theksoi Ministri, Osmani në takim, duke shprehur kënaqësinë për themelimin e forumit joformal, të quajtur QUAD. Secili prej këtyre vendeve individualisht ka dëshmuar se është një partner i besueshëm i NATO-s dhe BE-së, duke u harmonizuar me regjimin e sanksioneve të BE-së dhe SHBA-së, por edhe nëpërmjet ndihmës konkrete humanitare dhe asistencës tjetër teknike për Ukrainën.
Osmani i njoftoi bashkëbiseduesit për reformat që vijojnë, duke theksuar se nuk ka kthim mbrapa nga rruga evropiane për Maqedoninë e Veriut, një vend i njohur për demokracinë dhe kohezionin e saj multietnik, gjë që dëshmohet me vendimin për të qenë nikoqir i bisedimeve të zhvilluara së fundmi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Ohër.
U theksua se synim i përbashkët strategjik i të gjitha vendeve që e kanë arritur harmonizimin e plotë me vendimet e BE-së është integrimi i plotë në Union. Në këtë kontekst dhe lidhur me zhvillimet aktuale rajonale dhe ndërkombëtare, procesi i zbatimit të politikave, rregulloreve dhe standardeve të BE-së paraqet interesin më të lartë shtetëror.