Maqedonia e Veriut dhe Serbia kanë marrëdhënie të shkëlqyera fqinjësore dhe angazhim të përbashkët për një Ballkan Perëndimor të integruar në Evropë

Dy delegacionet e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut mbajtën takim të përbashkët plenar sot në Beograd, në kuadër të vizitës zyrtare të Kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe delegacionit qeveritar, ku janë ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Lupço Nikolovski, ministri për Transport dhe Lidhje, Bllagoj Boçvarski, si dhe zëvendësministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë Publike, Aleksandar Bajdevski.

Takimin e përbashkët të ministrave të qeverive të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Serbisë e hapi Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, e cila edhe një herë i uroi mirëseardhje delegacionit tonë qeveritar që ndodhet për vizitë zyrtare në Beograd.

Në takim nga Qeveria e Republikës së Serbisë ishin të pranishëm ministri i Punëve të Brendshme, Bratisllav Gashiq, ministrja e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave Jelena Tanaskoviq, ministri i Ndërtimit, Komunikacionit dhe Infrastrukturës Goran Vesiq dhe ministrja e Minierave dhe Energjetikës, Dubravka Xhedoviq.

Dy delegacionet qeveritare në takim theksuan rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet ministrive dhe institucioneve të Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, si dhe nënshkrimin e disa memorandumeve për avancimin edhe më të madh të bashkëpunimit pothuajse në të gjitha fushat.

Marrëdhëniet dypalëshe mes Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë nuk kanë qenë kurrë më të mira se sot dhe janë pa çështje të hapura. Si fqinjë të mirë, ne tejkaluam me sukses sfidat e krizës ekonomike dhe energjetike, në kuadër të Procesit të Berlinit, nismës Ballkan i Hapur.

Në takim u potencuan marrëdhëniet e shkëlqyera miqësore mes dy vendeve, bashkëpunimi i ngushtë, thellimi i interesave të ndërsjella, si dhe vendosmëria e përbashkët që Ballkani Perëndimor të jetë një rajon i paqes së përhershme i integruar plotësisht në BE.