Përfshirja e të gjitha palëve të prekura në ndërmjetësimin e situatave të konfliktit është kyçe. Ky ishte njëri nga mesazhet që Kryesuesi i OSBE-së dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, e theksoi gjatë takimit me Presidenten e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili.
Kjo do të mundësojë gjithëpërfshirje të procesit, gjë që do të çojë në rezultate të dëshiruara, tha Osmani.
“Në këtë drejtim, është veçanërisht e rëndësishme përfshirja e grave në proceset e paqes, sepse përmes një qasjeje të tillë mund të sigurohet paqja afatgjate dhe e qëndrueshme. Të gjithë pjesëmarrësit duhet të përmirësojnë pjesëmarrjen domethënëse të grave në Dialogët Ndërkombëtarë në Gjenevë dhe llogarisim në mbështetjen tuaj. Jemi plotësisht të vetëdijshëm për rolin tuaj të fuqishëm në fushën e lidershipit të grave në zgjidhjen e konflikteve”, theksoi Osmani në takim me Zurabishvilin.
Përveç mbështetjes së OSBE-së për zgjidhjen e këtyre çështjeve në kuadër të platformave ndërkombëtare të krijuara, OSBE-ja është e gatshme të forcojë angazhimin e saj drejtpërdrejt në dhe me Gjeorgjinë, duke prezantuar programe të reja në tre dimensionet e sigurisë. OSBE-ja gjithashtu mund t'u japë shtysë shtesë iniciativave rajonale, theksoi Osmani.
“Për realizimin e kësaj ideje, unë jap mbështetje të plotë politike dhe ju siguroj se Presidenca është e gatshme të ndajë përvojën e saj specifike nga Maqedonia e Veriut dhe Ballkani për forcimin e bashkëpunimit rajonal”, theksoi Osmani në takim.