Qasja sistematike në luftën kundër tregtisë me njerëz dhe përkushtimi për t'i dhënë fund skllavërisë bashkëkohore janë atributet kryesore të OSBE-së dhe kjo Organizatë është e orientuar drejt veprimeve dhe zgjidhjeve që mund t'i arrijmë së bashku.
Këtë e theksoi Kryesuesi i OSBE-së dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, i cili përmes një video-fjalimi e hapi Konferencën e 23-të të Aleancës për Luftën kundër Tregtisë me Njerëz me titull “Lidership nacional për t’i dhënë fund tregtisë me njerëz”, e cila po mbahet sot dhe nesër, në Vjenë.
Osmani theksoi se tema e Konferencës është aktuale dhe serioze, veçanërisht duke e pasur parasysh agresionin rus ndaj Ukrainës dhe pasojat që ndjehen në gjithë rajonin e OSBE-së.
“Pesha e momentit, serioziteti i kohës sonë, kërkon përgjegjësi, durim dhe mençuri, tre karakteristika jetike të lidershipit. Si kryesues, do të vazhdojmë ta promovojmë lidershipin përmes inkluzivitetit dhe përfshirjes së të gjithë aktorëve nga spektra të ndryshëm të shoqërisë. Një përmbledhje qasjesh të ndryshme vetëm se do ta forcojë mekanizmin tonë të përgjigjes, do të kontribuojë për qeverisje të mirë, të përgjegjshme dhe përparim të përgjithshëm shoqëror”, tha Osmani në fjalimin e tij.
Për ta arritur këtë, përveç lidershipit, na duhet edhe vullnet politik, theksoi Osmani. Ai e përsëriti moton e kryesimit të Maqedonisë së Veriut “Fjala është për njerëzit” dhe foli rreth asaj se pse veprimet e përbashkëta duhet të fokusohen tek njerëzit që janë më të prekur nga kjo e keqe.
“Tregtia me njerëz është çështje e sigurisë njerëzore. Shtetet kanë për detyrë që të kujdesen për viktimat dhe viktimat e mundshme të kësaj vepre penale. Jo vetëm në këto dy ditë, por edhe në të gjitha përpjekjet tona për ta luftuar trafikimin e qenieve njerëzore, gjithmonë le t'i kemi parasysh njerëzit! Doemos na duhet t’i dëgjojmë zërat dhe shqetësimet e tyre, shpresat dhe frikën e tyre. Patjetër se na duhet t'i kemi parasysh këta njerëz në të gjitha dokumentet, fjalët dhe veprat tona”, tha Osmani.
Në fjalimin e tij, Osmani iu referua masave të cilat i ka ndërmarrë Maqedonia e Veriut, si miratimi i Strategjisë Nacionale dhe Planit të Veprimit për Luftën Kundër Tregtisë me Njerëz dhe Migrimit Ilegal 2021-2025, si dhe Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Luftën Kundër Trafikimit të Fëmijëve 2021 -2025.
“Këto dokumente garantojnë se të gjitha institucionet tona nacionale janë të harmonizuara, veprojnë në kohë në përgjigjen e tyre si dhe përfshihen në vizionin e përgjithshëm strategjik”, tha Osmani.
"Ajo për të cilën ne kemi nevojë për mbështetje është forcimi i përpjekjeve për zbulimin dhe ndjekjen penale të personave që kryejnë trafikim njerëzor, gjë që mund ta mësojmë nga vendet pjesëmarrëse të OSBE-së", shtoi Osmani.
OSBE-ja, përmes Përfaqësuesit Special dhe Koordinatorit për Luftë Kundër Trafikimit me Njerëz, Valiant Riçi dhe ekipi i tij, kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe kanë arritur të ngrenë profilin e punës së OSBE-së në nivel të lartë, tha Osmani.
Konferenca organizohet në 20 vjetorin e miratimit të Planit të Veprimit të OSBE-së. Diskutimi synon të nxjerrë në pah shembuj pozitivë të udhëheqjes kundër trafikimit të qenieve njerëzore në rajonin e OSBE-së, duke përfshirë pajisjen e shteteve me strukturat dhe ligjet e nevojshme për të luftuar efektivisht këtë lloj aktiviteti kriminal.
Rekomandimet nga Konferenca do të jenë një konfirmim i përkushtimit për çrrënjosjen e trafikimit të qenieve njerëzore dhe një udhërrëfyes për zbatimin e Planit të Veprimit të OSBE-së në 20 vitet e ardhshme.