Kovaçevski në UNDP: Me mbështetjen që marrim përmbushim synimet strategjike të shtetit dhe cilësinë e jetës së qytetarëve

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, gjatë vizitës së tij të punës në SHBA, realizoi takim me Ivana Zhivkoviq, ndihmëssekretaren e përgjithshme dhe drejtoreshë e Byrosë Rajonale për Evropë - UNDP.

Në takimin ku mori pjesë edhe zëvendëskryetarja e Qeverisë për politika për qeverisje të mirë, Sllavica Gërkovska, u bisedua për aktivitetet dhe përkrahjen e UNDP-së për Republikën e Maqedonisë së Veriut, të cilat mbulojnë disa fusha si energjetika, mjedisi jetësor, zhvillimi social, shëndetësia, qeverisja demokratike, financimi i gjelbër.

Kryeministri Kovaçevski u shpreh i kënaqur për udhëzimet e dhëna nga kjo organizatë e rëndësishme ndërkombëtare në përballjen me krizën energjetike dhe ekonomike.

Në takim u theksua se në të ardhmen bashkëpunimi i UNDP-së me vendin tonë do të vazhdojë të përmirësohet në realizimin e projekteve që synojnë përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve, si dhe mbështetjen në përmbushjen e synimeve strategjike të vendit.