Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në kuadër të vizitës së tij në Uashington, mori pjesë në pritjen e cila u mbajt në Ambasadën tonë në Uashington, ku ishin të pranishëm përfaqësues të lartë të administratës amerikane dhe Kongresit, përfshirë kongresmenen Veronika Eskobar, përfaqësuesin special të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor dhe zëvendësndihmës sekretarin e shtetit të SHBA-ve Gabriel Eskobar, ish-ambasadori i SHBA-ve në Maqedoninë e Veriut Filip Riker dhe ambasadorja aktuale e SHBA-ve në Shkup, Angela Ageler, më shumë përfaqësues të Departamentit të Shtetit, Pentagonit, Këshillit të Sigurisë Nacionale etj.
Në pritjen, Kryeministri në bisedë me zëvendëssekretarin shtetëror të SHBA-ve, Eskobar, vlerësoi se Maqedonia e Veriut dhe SHBA-të në vazhdimësi kultivojnë një dialog politik produktiv dhe kanë një partneritet të fuqishëm strategjik.
Kovaçevski shprehu besimin se me ndihmën e SHBA-ve do të gjenden zgjidhje për të gjitha çështjet e hapura në rajon përmes dialogut, që do të çonte në integrim më të shpejtë në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Kryeministri theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut do të vazhdojë të jetë faktor i stabilitetit në rajon, duke praktikuar politikat e dialogut dhe duke ushqyer marrëdhënie të mira fqinjësore në të ardhmen.
Bashkëbiseduesit e pranishëm edhe një herë konfirmuan se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në BE dhe vendet duhet të punojnë me përkushtim në proceset reformuese, duke u kujdesur për marrëdhëniet e mira fqinjësore, duke mbrojtur të drejtat dhe liritë e njeriut.
Në një bisedë me kongresmenen Eskobar, Kryetari i Qeverisë shprehu mirënjohjen e tij ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës për mbështetjen dhe inkurajimin e vendit tonë në të gjitha proceset e rëndësishme për përparimin dhe prosperitetin e tij, si në aspektin e brendshëm-politik, të sigurisë, ashtu edhe në plan ndërkombëtar.