Kovaçevski për Zërin e Amerikës: SHBA-të janë një nga partnerët më të rëndësishëm në avancimin e sistemit gjyqësor në vend

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në intervistën për Zërin e Amerikës, foli për disa tema, ndër të cilat vlerësoi takimet e zhvilluara gjatë vizitës së tij të punës në SHBA, si dhe vërejtjet nga Uashingtoni në lidhje me gjyqësorin, si dhe situatën me korrupsionin dhe sundimin e së drejtës.
 
Kryeministri theksoi se janë diskutuar të gjitha aspektet e rëndësishme për avancimin e shtetit, si dhe avancimin e demokracisë. Kryeministri iu referua faktit se Maqedonia e Veriut ka bërë përparim të dukshëm në gjashtë vitet e fundit në lirinë e mediave dhe është ngritur 19 vende më lart në shkallën e lirisë së fjalës në nivel botëror.
 
“Ajo që është vërtetë një arritje jashtëzakonisht e madhe, për shkak të kapacitetit demokratik që ka kjo Qeveri e udhëhequr nga LSDM-ja dhe normalisht nga partnerët e koalicionit. Gjithashtu u diskutua edhe për sundimin e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit, SHBA-të janë një nga partnerët më të rëndësishëm në avancimin e sistemit gjyqësor në vend.
 
Siç kemi prezantuar të gjitha ligjet që janë përgatitur, në pjesën e avancimit të luftës kundër korrupsionit, sundimit të së drejtës, investimeve që bëhen në gjyqësor, është siguruar pavarësia e gjyqësorit”, tha Kryeministri Kovaçevski.
 
Sipas tij, vijon një periudhë për përmirësimin e gjendjeve.
 
“Ajo që kemi përpara është përmirësimi i të gjitha këtyre proceseve, mbi të gjitha po flas për rritjen e transparencës së sistemit gjyqësor, i cili është i pavarur.

Megjithatë, ai përbëhet nga individë dhe për një transparencë është e nevojshme të identifikohet se kush janë ata që kanë performancë më të mirë, që kanë performancë më të ulët, në mënyrë që ata të promovohen dhe kush duhet të zëvendësohet, për shembull, nga dikush i ri që do të sjell energji të re dhe do të sjellë cilësi të re në punën e organeve të drejtësisë”, vlerëson Kryeministri Kovaçevski.

Kryetari i Qeverisë vuri në dukje se është miratuar një Kod i ri Penal, por edhe se ka një numër të madh ligjesh që janë në procedurë parlamentare.

“Pjesa më e madhe e tyre janë të bllokuara nga opozita. Shpresoj se deputetët e opozitës do të gjejnë një mënyrë nëse kanë vërejtje për ato ligje, nëse nuk kanë vërejtje atëherë thjesht të lejojnë të vazhdojë procedura e mëtejshme sepse e gjithë kjo ndikon në avancimin e sistemit.

Është gjithashtu shumë e rëndësishme që procesi i skriningut në fund të rezultojë në raporte që i referohen të gjithë kapitujve, përfshirë kapitullin mbi sundimin e demokracisë, sundimin e së drejtës dhe këtu do të jemi në gjendje të shohim saktësisht të gjitha fushat që do të duhet të jenë të plotësuara në vazhdimësi para nesh”, tha Kryeministri Kovaçevski për Zërin e Amerikës.