Bashkëpunimi ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe EUROPRAVDA-s do të intensifikohet dhe thellohet në periudhën e ardhshme. Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, i cili ndodhet për një vizitë pune në Hagë, realizoi takim bilateral me Kryetarin e EUROPRAVDA-s, Lladisllav Hamran. Hamran theksoi kënaqësinë për praninë e Ministrit të Drejtësisë, Krenar Lloga, në Konferencën që shënon fillimin e Projektit për Ballkanin Perëndimor dhe përkushtimin e tij për përmbushjen e detyrimeve që do të kontribuojnë në shfrytëzimin e mbështetjes së ofruar nga EUROPRAVDA në drejtim të caktimit të një prokurori ndërlidhës nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Hagë, që do të çojë në rritje të dukshme të rezultateve në përballjen me krimin ndërkufitar, duke marrë parasysh përvojat pozitive në rajon si dhe ngritjen e kapaciteteve nacionale.
Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, theksoi se është i informuar për bashkëpunimin e deritanishëm me EUROPRAVDA si dhe rëndësinë e përmbushjes së detyrimeve që nuk janë realizuar në procesin e aksesit. Ministri Lloga prezantoi aktivitetet që janë duke u ndërmarrë në gjyqësor, prokurorinë publike, procesin e dixhitalizimit dhe sjelljen e zgjidhjeve të qëndrueshme.
Me ftesë të Ministrit të Drejtësisë, u morën vesh që Kryetari i EUROPRAVDA-s, Lladisllav Hamran, të vizitojë vendin tonë.