Drejtoria doganore: Po përmirësohet qasja e komunikacionit në vendkalimin kufitar Tabanoc - Preshevë me qëllim të shpejtimit të qarkullimit të mjeteve – nismë e Ballkanit të Hapur

Në vendkalimin kufitar Tabanoc po fillojnë punimet e infrastrukturës ndërtimore për zgjerimin e rrugëve të qasshme në anën maqedonase, të cilat kanë për qëllim përshpejtimin e qarkullimit të automjeteve dhe lehtësimin e tregtisë. Aktivitetet janë në koordinim të tërësishëm me institucionet e palës serbe, ku së shpejti do të fillojë punë e ngjashme infrastrukturore.

Aktivitetet e planifikuara janë në kuadër të nismës Ballkani i Hapur dhe në përputhje me Memorandumin e nënshkruar ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Republikës së Serbisë, i cili përmban masa për përshpejtimin e lëvizjes së automjeteve, njerëzve dhe mallrave përmes kufirit të përbashkët shtetëror.

Punimet ndërtimore pritet të përfundojnë në gjysmën e parë të muajit të ardhshëm, para fillimit të sezonit turistik.

Gjithashtu, në periudhën në vijim do të fillojë të zbatohet edhe masa e njohjes së certifikatave për peshimin e automjeteve për mallra ndërmjet Drejtorive Doganore të dyja vendeve, e cila do të reduktojë kohën për kryerjen e formaliteteve doganore.

Në mënyrë plotësuese Drejtoria Doganore po punon edhe në prezantimin e konceptit të të ashtuquajturit kufij inteligjentë, që nënkupton instalimin e pajisjeve të reja, gjegjësisht një sistem të ri për mbikëqyrje me video dhe njohjen e targave të automjeteve të integruar me lexues të kodeve të dokumenteve, si dhe vendosjen e rampave dhe peshoreve të reja të automatizuara.

Këto masa do të kontribuojnë në qarkullim të përshpejtuar në vendkalimin kufitar Tabanoc dhe ulje të shpenzimeve të udhëtarëve dhe operatorëve ekonomikë, gjë që do të ndikojë pozitivisht në tregtinë ndërkombëtare në rajon.