Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, së bashku me Presidentin e Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, kanë zhvilluar sot një takim trepalësh në Bardolino të Italisë, në kuadër të programit të vizitës së punës në panairin ndërkombëtar të verës “Vinitali", ku liderët do të marrin pjesë në prezantimet e verërave nga të tre vendet, në stendën e përbashkët të Ballkanit të Hapur.
Në takim u diskutua për realizimin e aktiviteteve në kuadër të nismës rajonale Balkan i Hapur, si dhe pjesëmarrjen e përbashkët në panairin ndërkombëtar të verërave “Vinitali”, i cili këtë vit mbahet për të 55-tën herë.
U theksua se duke prezantuar së bashku panairin “Vinitali”, një nga panairet më cilësore të verës në nivel global, ne sjellim dhe promovojmë cilësinë e verës dhe turizmit të të tre vendeve më pranë audiencës botërore dhe investitorëve potencial.
U konstatua vërtetuar se në stendën e përbashkët Ballkani i Hapur, kantinat dhe verërat maqedonase, serbe dhe shqiptare qëndrojnë krah për krah me prodhuesit më të mirë botëror.
Paraqitja e përbashkët e të tre vendeve në panairin e verës” Vinitali” shihet si një mundësi e madhe për promovim, rrjetëzim, tërheqje të investitorëve të huaj dhe hapje tregjesh të reja.
Në takim u theksua se duke filluar nga kjo verë bëhet realitet mundësia e qasjes së lirë në tregun e punës për qytetarët e tre vendeve. E drejta për të hyrë në tregjet e punës në të tre vendet do të fitohet shumë më shpejt dhe më thjeshtë, me lëshimin elektronik të një numri identifikimi të Ballkanit të Hapur dhe një numri unik identifikimi të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, pasi të jenë kryer kontrollet e duhura.
Me fillimin e zbatimit të këtyre marrëveshjeve, personave që do të marrin një numër identifikimi Ballkani i Hapur, do t'u lejohet qëndrimi i pandërprerë prej dy vitesh, gjatë të cilit kanë të drejtë të gjejnë punë.
Në takim u vu në pah edhe lehtësimi dhe përshpejtimi i qarkullimit të mallrave dhe përmirësimi i tregtisë mes tre vendeve me vendosjen e korsive të gjelbra në pikat kufitare.
U përshëndet dhe u theksua nënshkrimi i Memorandumit për Bashkëpunim ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë për pikën kufitare Tabanoc, i cili parasheh zgjerimin infrastrukturor të numrit të korsive të komunikacionit në vendkalimin Tabanoc - Preshevë, vendosjen ose përmirësimin e sinjalistikës së komunikacionit. si dhe pajisje shtesë të infrastrukturës në këtë vendkalim, si dhe vendosjen e procedurave të reja të kontrollit kufitar për kalimin e përshpejtuar të pasagjerëve dhe automjeteve në vendkalimin kufitar.
Gjithashtu, në lidhje me pikën kufitare të Maqedonisë së Veriut me Shqipërinë, Qafë Thanë, u theksua se janë formuar grupe pune që kanë filluar të punojnë për gjetjen e zgjidhjeve për funksionalizimin e plotë të “One Stop Shop”.
Në takim u diskutua edhe për aktivitetet e mundshme në të ardhmen si Ballkani i Hapur – kamp për të rinj, panair ushqimor, festival filmi, por edhe mundësia e hapjes së kufijve mes tre vendeve.
Në takim u dakordua për hapat e ardhshëm konkret për realizimin e përfitimeve të Ballkanit të Hapur, gjegjësisht një udhërrëfyes me projekte konkrete që do të realizohen në periudhën e ardhshme dhe nga të cilat do të përfitojnë ekonomitë e tre vendeve.