Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski, po qëndron në vizitë zyrtare në Republikën e Serbisë, si pjesë e delegacionit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në kuadër të vizitës, ministri Boçvarski dhe ministri serb i Ndërtimtarisë, Transportit dhe Infrastrukturës, Goran Vesiq, nënshkruan Memorandumin për bashkëpunim për sistemin elektronik për pagesën e përbashkët të taksës rrugore, si pjesë e procesit Ballkani i Hapur.
Me Memorandumin mundësohet që qytetarët e të dyja shteteve të mund të paguajnë taksa rrugore përmes sistemit elektronik duke shfrytëzuar kartelën e njëjtë elektronike ose tag elektronik në të dyja vendet.
Kjo krijon kushte për përforcim të bashkëpunimit në sferën e komunikacionit rrugor, zhvillim dhe modernizim të sistemit transportues, përmirësim të lidhjes së ndërsjellë, si dhe shfuqizim shtesë të barrierave administrative për shkak të lëvizjes së lirë të udhëtarëve.
Ministri Boçvarski realizoi edhe takim pune me homologun e tij, ministrin Vesiq, në të cilin biseduan për intensifikimin e bashkëpunimit në infrastrukturë mes të dyja shteteve.
Në fokus të bisedës ishte edhe projekti për ndërtimin e stacionit hekurudhor në Tabanoc, me të cilin do të ngriteshin kapacitetet e sistemit hekurudhor, do të intensifikohej edhe përforcohej lidhja rajonale, si dhe hapjen e mundësisë për liberalizimin e transportit rrugor.
Të dyja palët, thuhet në kumtesë, janë pajtuar se procesi Ballkani i Hapur jep shumë mundësi dhe se takimet dhe bisedat e tilla sjellin përfitime të rëndësishme dhe janë me rëndësi të jashtëzakonshme për qytetarët e të dyja vendeve.