Takimi Osmani-Kurti: Bashkëpunimi rajonal është hallkë kyçe në forcimin e sigurisë

Mbrojtja e të drejtave të të gjitha komuniteteve është e rëndësisë thelbësore për stabilitetin në Kosovë dhe rajonin më të gjerë, theksoi kryesuesi i OSBE-së dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, pas takimit të sotëm zyrtar me Kryeministrin Albin Kurti në Prishtinë.

Gjatë takimit me Kryeministrin e Kosovës, Osmani e theksoi mbështetjen e OSBE-së në drejtim të krijimit dhe zbatimit të reformave në Kosovë.

“OSBE-ja do të vazhdojë t’i mbështesë reformat gjyqësore dhe zgjedhore të Kosovës, duke përfshirë edhe ndryshimet në kodin zgjedhor, e Kosova duhet plotësisht të shfrytëzojë ekspertizën dhe burimet e Misionit të OSBE-së për të avancuar zbatimin e reformave, por edhe për t’i forcuar marrëdhëniet ndëretnike dhe sigurinë“, theksoi Osmani.

Temë e bisedës në takimin e sotëm ishte edhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe fetare, e cila është kyçe për respektimin e të drejtave të komuniteteve, si dhe përkrahja e OSBE-së për dialogun e udhëhequr nga BE-ja.

“Dialogu i udhëhequr nga BE-ja ka potencial real që të kontribuojë në sigurinë dhe stabilitetin në rajon, por duhet të mbështetemi edhe në bashkëpunimet rajonale, që janë hallkë kyçe në atë drejtim. Mbrojtja e të drejtave të të gjitha komuniteteve është me rëndësi themelore për stabilitetin në Kosovë dhe më gjerë në rajon”, theksoi Osmani.

Në fokus të bisedimeve ishin edhe të rinjtë, të cilët Osmani tha se do të jenë kyç në zbatimin dhe ruajtjen e prioriteteve rajonale të Kryesimit të Maqedonisë së Veriut me OSBE-në, e të cilat kanë të bëjnë me pajtimin dhe ndërtimin e besimit, antikorrupsionin dhe ndryshimet klimatike.

Në takim u mirëpritën marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe të cilat i kultivojnë Maqedonia e Veriut dhe Kosova, si dhe rezultatet domethënëse të cilat Misioni i OSBE-së i realizon në Kosovë në drejtim të mbështetjes afatgjatë për vendin, për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të ndjeshme.

Kryesuesi Osmani së bashku me Kryeministrin Kurti e vizituan Akademinë e Sigurisë Publike, ku u takuan kadetët policorë nga komunitetet jo shumicë.