Kovaçevski në "Përgjigjje e Shpejtë 23": Maqedonia e Veriut është faktor stabiliteti, vend stabil dhe i sigurt i NATO-s me mjedis të favorshëm për investime dhe paga më të larta në Armatë

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot mori pjesë dhe mbajti fjalim në stërvitjen më të madhe shumëkombëshe të këtij viti në Republikën e Maqedonisë së Veriut "Përgjigje e Shpejtë 23", në të cilën, përveç Republikës së Maqedonisë së Veriut, marrin pjesë edhe tre vende anëtare të NATO-s, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria, Mali i Zi dhe si vend partner i NATO-s - Kosova, me rreth 1.850 pjesëmarrës.

Stërvitja është e një rëndësie të veçantë për Armatën tonë për sa i përket ndarjes së njohurive, aftësive, shkathtësive, përmirësimit të ndërveprimit dhe sinkronicitetit të ndërsjellë operacional midis NATO-s dhe armatave partnere, në një gamë të gjerë operacionesh pothuajse të njëkohshme, të kryera në zona të shumta, duke demonstruar unitetin të Aleancës së NATO-s për sigurinë e secilit vend anëtar, si dhe konfirmimin e aftësive të “PU Krivollak” për kryerjen e një sërë operacionesh stërvitore dhe përdorimin e mjeteve dhe armatimeve të ndryshme luftarake.

Pjesëtarët e armatave pjesëmarrëse në stërvitje prezantuan një aksion të kombinuar tokësor: "Një grup shumëkombësh në sulm, e mbështetur me mbështetje artilerie, ajrore dhe antiblindore“.

 

Në aktivitetet e planifikuara stërvitore është paraparë përdorimi i të ashtuquajturit mjeti i sofistikuar robotik “Project Origin”, i cili është në përdorim provë nga Armata e SHBA-ve dhe që do të testojë për herë të parë në kushte stërvitore shkrepjen e një rakete me sistem kundër armaturës të tipit “Javelin”, e cila është pjesë e armatimit të saj.

 

Stërvitja “Përgjigje e Shpejtë 23” është e lidhur me kompleksin e stërvitjeve “Defender Europe 23”, të cilat kryhen rregullisht çdo vit në tokën evropiane, të udhëhequra nga Armata e SHBA-ve për Evropë dhe Afrikë. “Përgjigje e Shpejtë 23” do të realizohet në 8 shtete të rajonit: Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Bullgari, Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Kroaci, Slloveni dhe Kosovë.

 

Në vazhdim ua përcjellim fjalimin integral të Kryeministrit Dimitar Kovaçevski:

 

“Jam i nderuar dhe ju falënderoj për ftesën sot për të marrë pjesë në stërvitjen më të madhe shumëkombëshe “Immediate Response 23” ose “Përgjigjje e shpejtë 23” që mbahet këtë vit në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe e cila dëshmon unitetin e Aleancës së NATO-s.

Në fillim dua të ndaj me ju përshtypjet e mia për profesionalizmin e Armatës sonë, Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila sot këtu, në Krivollak, merr pjesë bashkërisht me armatat edhe të tre vendeve të tjera të NATO-s, SHBA-ve, Shqipërisë, Malit të Zi dhe një vendi partner të NATO-s - Kosovën. 

Këtë vit po realizojmë një tjetër stërvitje të përbashkët të suksesshme me aleatët tanë të NATO-s, ku përmes operacioneve të ndryshme stërvitore demonstrojmë unitetin e Aleancës Veriatlantike në emër të sigurisë së secilit vend anëtar dhe në emër të paqes botërore.

Shënojmë një tjetër sukses në veprimet tona të përbashkëta dhe të gjithë së bashku tregojmë vlerat dhe potencialet tona.

Dhe kjo është vlera dhe thelbi i Aleancës së NATO-s - përmes veprimeve të përbashkëta dhe me forca të përbashkëta të sigurohet paqe për individin dhe përmes kësaj paqen e përgjithshme për të gjithë. Kjo është edhe arsyeja pse tre vite më parë ne iu bashkuam Aleancës më të madhe ushtarake-politike - Aleancës së NATO-s, e cila sot bashkon 1 miliard njerëz në botë.

Me anëtarësimin tonë në NATO, Republika e Maqedonisë së Veriut nuk është më objekt në skenën gjeopolitike, por subjekt që merr pjesë aktive në marrjen e vendimeve me rëndësi botërore, së bashku, në të njëjtën tryezë me superfuqitë botërore.

Ky është konfirmimi më i mirë i korrektësisë së vendimeve të marra në vend 3 vite më parë dhe ky është mohimi më i mirë për ata që ishin kundër atyre vendimeve të marra 3 vite më parë në vendin tonë.

Ne kemi dëshmuar përkushtimin tonë ndaj postulateve themelore të NATO-s, që janë promovimi i vlerave demokratike, ndërtimi i besimit, parandalimi i konflikteve dhe bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Duke ruajtur parimet e fqinjësisë së mirë dhe duke zbatuar politikën e dialogut në vend të konfliktit, Republika e Maqedonisë së Veriut sot është shndërruar në një vend që është faktor stabiliteti, një partner i besueshëm i BE-së dhe NATO-s, duke kontribuar në përforcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ndërtimin e paqes në rajon, dhe rrjedhimisht paqen në botë.

Përmes anëtarësimit tonë në NATO dhe pjesëmarrjes në veprime të përbashkëta, ne po ndërtojmë partneritete të forta me aleatët si në rajonin tonë ashtu edhe më gjerë. Për Maqedoninë e Veriut, ruajtja e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor është një nga prioritetet kryesore të politikës së jashtme.

Me nënshkrimin e Marrëveshjes me FRONTEKS-in dhe anëtarësimin në familjen e madhe të NATO-s, ne mbrojtëm standardet tona të identitetit, mbrojtëm gjuhën tonë maqedonase dhe kulturën tonë. Nën mburojën e NATO-s dhe mbështetjen e fortë të aleatëve dhe partnerëve tanë strategjikë, vendi ynë është më i fortë dhe më i qëndrueshëm se kurrë. Si politikisht ashtu edhe ekonomikisht, sepse fillimi i bisedimeve me BE-në dhe stabiliteti me anëtarësimin në NATO sollën një mjedis të favorshëm dhe të parashikueshëm për investimet e huaja të drejtpërdrejta, të cilat në kushte krize arritën një shumë historike rekord prej 753 milionë euro, që është niveli më i lartë i investimeve të tilla në vend dhe dy herë më shumë në krahasim me vitin 2016.

Ne hymë në familjen e madhe të NATO-s të gatshëm për të hapur një kapitull të ri në historinë tonë, me ndjenjën e përgjegjësisë dhe detyrimit të përbashkët për të kontribuar në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit. Pjesë e këtij detyrimi për secilin vend anëtar, përfshirë edhe për ne, është krijimi i një armatës bashkëkohore, moderne që do të dijë t'u përgjigjet të gjitha sfidave.

Ne kemi treguar se mund t'i përballojmë këto sfida. Për këtë kemi investuar në Armatën tonë dhe kemi përmirësuar kushtet për pjesëtarët e Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Në vitin 2022, me ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për shërbim në Armatë, kemi paraparë përmirësime të standardit të të gjithë pjesëtarëve të Armatës. Vetëm për këtë vit pjesëtarëve të Armatës ua kemi rritur pagat për gati 8.000 denarë.

Nëse paga neto e një ushtari profesionist në Armatë në vitin 2010 ishte 21.000 denarë, sot është mbi 46.000 denarë, të cilën tani për dallim nga atëherë e marrin të gjithë pjesëtarët e Armatës.

Paga mujore neto e një ushtari profesionist në njësinë tonë të deklaruar nga NATO është rreth 51.500 denarë, kurse pagat janë edhe më të larta, varësisht nga grada e pjesëtarëve të Armatës.

Ushtarët profesionistë e fituan të drejtën e pagesës së qirasë që në momentin e lidhjes së kontratës së parë të punës në Armatë. Dhe ky kompensim rritet me rritjen e pagës mesatare. Ne kemi parashikuar edhe kushte të favorshme për bursa për kuadro të reja dhe me perspektivë të specialiteteve kritike për Armatën.

Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes, i cili ka shënuar rritje gjatë dhjetë viteve të fundit, arriti nivelin më të lartë këtë vit dhe përbën 1.85 për qind të PBB-së. Përkushtimin tonë për krijimin e një Armate bashkëkohore profesionale e dëshmojmë duke ndarë pothuajse 25 për qind më shumë mjete për Armatën, krahasuar me vitin e kaluar, që do të thotë se buxheti i këtij viti është rritur për afro 54 milionë euro. Për rikonstruimin e objekteve dhe infrastrukturën e mbrojtjes janë paraparë 10 milionë euro më shumë se në vitin 2022 .

Kështu duhet dhe e mbrohet atdheu. Duke investuar në Armatën tonë, ne po investojmë në sigurinë dhe të ardhmen tonë dhe duke ndërtuar partneritete strategjike, të gjitha këto nuk mund t'i bëjë askush, veçanërisht jo një vend me përmasat dhe popullsinë tonë. Prandaj partneriteti me SHBA-në dhe vendet anëtare të NATO-s janë të një rëndësie vendimtare për vendin tonë. Armata jonë sot ka pajisjet më bashkëkohore ushtarake që janë këtu falë partneriteteve tona me SHBA-të, Francën, Turqinë dhe vende të tjera anëtare të NATO-s.

Para vendit tonë, Maqedonisë së Veriut, në periudhën e ardhshme qëndrojnë sfida që do të përcaktojnë të ardhmen e tij - nëse do të shkojmë në rrugën e integrimit evropian, stabilitetit dhe prosperitetit apo do të ngecim vetë me veten.

Njëherë udhëheqësia e shtetit në vitin 2006 vendosi të priste dhe priti nga viti  2006 deri në vitin 2016. Nuk mori asnjë vendim të vetëm strategjik për vendin. Për 10 vite, u shiti njerëzve reklama në TV, për të cilat ata shpenzuan më shumë se sa shpenzohen sot për ndërtimin e kopshteve, shkollave të reja, shkollave apo pajisjen e Armatës. Në fund kaluan ato 10 vite dhe të gjithë e kuptuam se mbetëm vetëm dhe të izoluar. Prandaj, nga viti 2016 u morën vendime që e bënë vendin anëtar të NATO-s, me të cilin vendi filloi bisedimet me BE-në. Falë atyre vendimeve, sot jemi një vend që përfaqësojmë OSBE-në, jemi një vend që nga përfituesi i misioneve të paqes, 30 vjet më parë, tani është një vend ku vendet e tjera negociojnë për të zgjidhur problemet e tyre.

Un siç thashë edhe para disa ditësh,  do ta udhëheq atë dhe do të propozoj të gjitha vendimet e nevojshme që Maqedonia e Veriut të vazhdojë rrugën e saj drejt realizimit të qëllimit të dytë strategjik, që është anëtarësimi në BE. Shpresoj që të gjitha partitë politike në vend, të gjithë përfaqësuesit e popullit, të gjithë deputetët do ta njohin rëndësinë e këtij vendimi dhe do ta japin votën e tyre për popullin dhe jo për karrierën personale të asnjë politikani në vend.
 
Edhe një herë po dërgoj një mesazh dhe thirrje për kohezion, bashkim dhe ngritje mbi dallimet tona politike dhe ideologjike në emër të një jete më cilësore dhe të një të ardhmeje më të sigurt për të gjithë ne dhe për gjeneratat e ardhshme.

Faleminderit.“