Kovaçevski: Me sistemin elektronik të integruar për pikëpagesa në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, qytetarët udhëtojnë më shpejt, më sigurt dhe më lehtë

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski dhe Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, kanë promovuar sot në Preshevë sistemin e përbashkët elektronik të integruar për pikëpagesa.

Bëhet fjalë për pagesë të shpejtë dhe efikase të pikëpagesave në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi me ndihmën e pajisjes speciale TAG për pagesën elektronike pa kontakt, e cila funksionon me sukses dhe mundëson lëvizje të qetë nëpër territoret mes dy vendeve.

Në vazhdim ua përcjellim fjalimin integral të Kryeministrit Dimitar Kovaçevski:

“Fillimisht faleminderit për praninë tuaj, faleminderit Kryeministres së Serbisë Bërnabiq.

Ky është konfirmimi më i mirë se Ballkani i Hapur është një nismë që jep rezultate, që funksionon dhe që njerëzit e duan. Nëse shikojmë hulumtimet e opinionit publik, Ballkani i Hapur është e vetmja nismë rajonale që ka mbi 80% mbështetje në vendet që janë pjesë e nismës. Dhe kjo sepse iniciativa jep rezultate.

Për vetëm 3 muaj, inxhinierët serbë dhe maqedonas arritën të krijojnë zgjidhjen për një koleksion unik elektronik të tarifave. Sot, së bashku me ministrin Boçvarski, erdhëm me veturë nga Shkupi me një kartelë M-TAG të blerë nga Maqedonia që funksionon në mënyrë perfekte në Serbi. Deri të premten e ardhshme do të bëhet zgjidhje për qarkullimin e mallrave, që të kalojnë edhe kamionët.

Ky është një tjetër konfirmim se nisma funksionon pikërisht për të përshpejtuar qarkullimin e njerëzve, mallrave dhe shërbimeve dhe kapitalit. Kryeministri tha se falë kësaj nisme, tregtia mes dy vendeve është rritur me mbi 25% nga ana jonë në 50%, dhe eksportet në Serbi janë rritur. Janë rritur edhe eksportet nga Serbia në Maqedoninë e Veriut.

Numri i turistëve që erdhën në vendin tonë gjatë 2 viteve të fundit është 500% më i lartë se përpara krijimit të nismës Ballkan i Hapur. Ajo që vijon është vendosja e zgjidhjes softuerike për shkëmbim pa probleme të punëtorëve, në mënyrë që të gjithë të vijnë dhe të regjistrohen përmes një softueri të vetëm në Serbi dhe në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri pa procedura administrative që sot zgjasin 3 muaj.

Nëse shikojmë këtu, vetëm disa kilometra larg, tashmë janë zgjeruar korsitë për kalim më të shpejtë të kufirit, ndërsa ministrat për Punë të Brendshme tashmë po punojnë për një zgjidhje unike softuerike që do të mundësojë vetëm një kontroll të kufirit ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, gjë që do ta përshpejtojë edhe më shumë kalimin e kufirit.

Ajo që duan qytetarët, atë e bëjmë ne, pavarësisht se sot është nxehtë dhe mbi 35 gradë, të gjithë jemi këtu për të shënuar fillimin e diçkaje që vërtet përshpejton komunikimin mes dy vendeve. Ne do të punojmë edhe më shumë për të rritur shkëmbimin. Maqedonasit duan produktet serbe, serbët duan produktet maqedonase dhe për këtë komisioni i përzier tregtar do të punojë në bashkimin sa më shumë të kompanive, hapjen e 2 tregjeve dhe heqjen e të gjitha barrierave pa taksa që ekzistojnë aktualisht, dhe të cilat gjatë vitin e kaluar i reduktuam.

Faleminderit edhe një herë të gjithëve, dy ministrive, dy kompanive rrugore që punuan për zbatimin e kësaj zgjidhjeje dhe që ia dolën ta bënin në 3 muaj”.