Kryesuesi i OSBE-së dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në kuadër të vizitës së tij në Astana, sot kishte takim me Presidentin e Kazakistanit, Kassym-Jomart Tokayev.
Osmani dhe Tokayev diskutuan mbi tema të ndryshme, si: bashkëpunimi i autoriteteve në Kazakistan me OSBE-në dhe Zyrën e Projektit të saj në Astana, çështjet e brendshme të vendit dhe proceset e reformave, si dhe tema aktuale që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ndërkombëtar dhe situatën në rajonin më të gjerë të Azisë Qendrore.
"Kazakistani ka rol aktiv në OSBE. Angazhimi i tij ndaj parimeve të Organizatës është i një rëndësie të madhe dhe kontribuon në forcimin e rolit të OSBE-së në rajonin e Azisë Qendrore. Në këtë drejtim, OSBE-ja do të vazhdojë ta mbështesë vendin edhe në përpjekjet për t'u ballafaquar me sfidat e sigurisë, të shkaktuara nga ndikimi i situatës në Afganistan, si dhe në zbatimin e agjendës së reformave”, theksoi Osmani.
OSBE-ja mbetet që të shërbejë si platforma e vetme për dialog edhe përkundër sfidave të paparashikuara të sigurisë në rajonin e gjerë të OSBE-së, prandaj i inkurajoj autoritetet kazake që ta shfrytëzojnë mbështetjen e saj, tha Osmani në takimin me Tokayevin.
“OSBE, përmes ekspertizës dhe burimeve të saj, do të vazhdojë të ofrojë mbështetje për zbatimin e reformave, veçanërisht në fushat e qeverisjes së mirë, mbrojtjes së mjedisit, fuqizimit ekonomik të grave, luftës kundër dhunës në familje dhe trafikimit të qenieve njerëzore si dhe në fushën e barazisë gjinore” shtoi Osmani.
Poashtu OSBE-ja do të vazhdojë ta mbështesë Kazakistanin edhe në promovimin e lidhjes rajonale, forcimin e sigurisë energjetike, luftën kundër korrupsionit dhe zbatimin e reformave në media dhe gjyqësor, tha Osmani në takimin me Presidentinim e Kazakistanit, Tokayev.