Takimi Osmani-Suleimenova: "Bashkëpunimi ndërajonal do të kontribuojë në zvogëlimin e pasojave të ndryshimeve klimatike në Evropë dhe Azinë Qendrore"

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Kryesuesi i OSBE-së, sot në Astana, në kuadër të vizitës së tij në Azinë Qendrore, së bashku me Përfaqësuesin Special për Mjedisin, Naser Nuredini realizuan takim me Ministren e Ekologjisë dhe Burimeve Natyrore të Kazakistanit, Zulfia Suleimenova.

Në takim, Osmani theksoi se përkushtimi i Kazakistanit në mbrojtjen e mjedisit ka ndikim pozitiv në rajonin e gjerë të Azisë Qendrore. Ai gjithashtu theksoi se një nga prioritetet e kryesimit të Maqedonisë së Veriut është ballafaqimi me ndryshimet klimatike dhe se do të vazhdojmë t'i inkurajojmë iniciativat dhe projektet që do të paraqesin qasje të përbashkët në rajonin e OSBE-së në përballjen me pasojat e krizës klimatike.

“Projektet që po zbaton Kazakistani, me mbështetjen e OSBE-së, veçanërisht për eko-portet Kurik dhe Ataku, janë të një rëndësie të madhe për rajonin e gjerë të OSBE-së. Ato jo vetëm që kontribuojnë në zbutjen e efekteve të ndryshimeve klimatike, por edhe e përmirësojnë pozicionimin e Kazakistanit në Korridorin e Mesëm dhe industrinë globale të logjistikës", tha Osmani.

Përfaqësuesi Special, Nuredini iu referua rëndësisë së politikave të dimensionit ekonomik dhe mjedisor për rajonin e OSBE-së, veçanërisht për rajonin e Azisë Qendrore. Ai nënvizoi rolin e rëndësishëm të Kazakistanit në fushën e transformimit të politikave mjedisore dhe menaxhimit të burimeve natyrore, si lider në këtë rajon. Njëherit, Nuredini foli për aktivitetet që mund të realizohen në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet OSBE-së dhe Kazakistanit, si dhe përcolli përvojat pozitive të bashkëpunimit ndërkufitar në këtë fushë në rajonin tonë, duke shkëmbyer ide për bashkëpunim ndërshtetëror dhe ndërajonal në të ardhmen.

Theksoi poashtu se OSBE-ja dhe Kazakistani do të bashkëpunojnë edhe në projektin "Promovimi i Porteve të Gjelbërta dhe Lidhje", qëllimi përfundimtar i të cilit është përmirësimi i lidhjes tregtare dhe transportit nga Azia Qendrore në Evropë. Në këtë kontekst, gjatë kryesimit të Maqedonisë së Veriut me OSBE-në, ai inicioi një takim ministror që do të mbahet në Kazakistan për të përshpejtuar të gjithë procesin.