Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, i shoqëruar nga zëvendëskryetari i parë i Qeverisë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi, zëvendëskryeministëri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ministri i Drejtësisë, Krenar Loga, si dhe ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska Stojçevska, u takuan me zëvendës-ndihmës sekretarin e shtetit të ShBA-ve për çështje evropiane dhe euroaziatike dhe përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar, i shoqëruar nga Angela P. Ageler, ambasadore e SHBA-së në vend dhe përfaqësues të tjerë nga ambasada amerikane.
Në takim u diskutuan çështje të rëndësishme aktuale, të cilat janë të rëndësishme për perspektivat e qytetarëve të Maqedonisë dhe për Republikën e Maqedonisë së Veriut, si dhe çështje gjeostrategjike me rëndësi për stabilitetin e Evropës.
Mendimi i përbashkët është se integrimi i Maqedonisë së Veriut në BE do të thotë prosperitet për qytetarët e vendit, me ndikim edhe në prosperitetin afatgjatë të gjithë Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
U konfirmua pritshmëria që Republika e Maqedonisë së Veriut, pas anëtarësimit në NATO, duhet të bëhet anëtare e BE-së, si dhe mbështetja e fortë e Shteteve të Bashkuara në përparimin e vendit tonë drejt anëtarësimit të plotëfuqishëm në Bashkimin Evropian.
Është vlerësuar se çdo rezultat tjetër i mundshëm për të vazhduar drejt rrugës evropiane nuk është me interes shtetëror dhe strategjik. Prandaj, ekziston një marrëveshje e përbashkët që vendimi i ardhshëm në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut të jetë për shtetin, në drejtim të integrimit, e jo të izolimit.
Republika e Maqedonisë së Veriut, për realizimin e qëllimit të integrimeve evropiane, ka mbështetje të qartë brenda vendit, nga qytetarët maqedonas dhe si kurrë më parë, nga jashtë, nga partnerët ndërkombëtarë.
Është arritur korniza negociuese me BE-në me mbrojtje të plotë të gjuhës dhe identitetit maqedonas, dhe pritja është që të ecim përpara me vendimet shtetërore për cilësi evropiane të jetës në vend dhe në përputhje me interesat strategjike për stabilitet të Evropës