Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në kuadër të vizitës së tij në Republikën e Sllovenisë, ku po merr pjesë në Forumin Strategjik të Bledit, realizoi takim me Kryetarin e Këshillit Evropian, Sharl Mishel.
Në takim ku morën pjesë zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq dhe ministri i jashtëm, Bujar Osmani, u bisedua për zhvillimet aktuale politike në Maqedoninë e Veriut, me fokus fillimin me sukses të procesit të ndryshimeve kushtetuese në Kuvend.
Përkushtimi dhe mbështetja e Bashkimit Evropian në procesin e eurointegrimeve të Maqedonisë së Veriut është jashtëzakonisht i rëndësishëm në këtë moment, për të cilin është adresuar qartë mesazhi nga BE-ja, për rëndësinë e përfundimit me sukses të procesit të ndryshimeve kushtetuese, për ecurinë e mëtejshme të procesit të integrimit evropian të vendit.
Dy bashkëbiseduesit ranë dakord se ndryshimet kushtetuese paraqesin një shans të vetëm dhe të papërsëritshëm për përparimin dhe prosperitetin e Maqedonisë së Veriut brenda BE-së. Anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE do të ketë ndikim pozitiv në situatën e përgjithshme në Ballkanin Perëndimor, e veçanërisht në fushën e zhvillimit ekonomik të vendit dhe rajonit.
Në të njëjtën kohë, u theksua se angazhimi dhe përshpejtimi i reformave është kyç për rritjen e mbështetjes nga BE-ja në drejtim të fondeve paraaderuese për vendet e Ballkanit Perëndimor.