Ministri i Jashtëm Bujar Osmani, në margjinat e Forumit Strategjik të Bled, sot mori pjesë në mëngjesin e punës të organizuar nga Ministrja e Punëve të Jashtme e Sllovenisë, Tanja Fajon, së bashku me Ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla Shvarc, Ministrin e Punëve të Jashtme të Bosnjë dhe Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, atë të Kroacisë, Gordan Grliq Radman dhe Zëvendësministren e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Megi Fino. Në takim, krahas krerëve të diplomacisë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, morën pjesë edhe përfaqësuesit specialë për Ballkanin Perëndimor të Sllovenisë, Anzhej Frangesh, të Norvegjisë, Arne Sanes Bjornstad, të Britanisë së Madhe, Lord Stjuart Piç dhe të Austrisë, Johanes Ajnger.
Tema kryesore e bisedës ishte integrimi europian i vendeve të rajonit si përcaktim i tyre strategjik dhe qëllim i politikës së jashtme, gjatë së cilës Osmani theksoi se krahas kornizës së qartë kohore për zgjerimin e ardhshëm të Unionit, koncepti i integrimit të përshpejtuar të rajonit para anëtarësimit do të sjellë parashikueshmëri më të madhe, stabilitet dhe do ta forcojë kredibilitetin e politikës së zgjerimit.
“Me padurim i presim propozimet për operacionalizimin konkret të këtij koncepti të ri, i cili sipas mendimit tonë do të ishte i një rëndësie vendimtare për tejkalimin e dallimeve dhe përshpejtimin e procesit të integrimit të plotë në BE. Njëkohësisht, kjo qasje do të kishte ndikim pozitiv domethënës në sfidat kryesore me të cilat po ballafaqohemi sot: rritja e euroskepticizmit dhe zvogëlimi i ndikimit të aktiviteteve malinje të aktorëve të tretë që synojnë minimin e institucioneve demokratike dhe destabilizimin e vendit dhe rajonit”, tha Osmani.
Ministri i brifoi bashkëbiseduesit me situatën aktuale në vend, angazhimet në kuadër të bashkëpunimit rajonal dhe më gjerë, si në kuadër të Procesit të Bashkëpunimit në Europën Juglindore dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, të cilat i kryeson vendi, ashtu edhe në kuadër të Aleancës së NATO-s.