Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin Strategjik të Bledit, të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Sllovenisë, realizoi takime të shumta dypalëshe me përfaqësues të lartë të më shumë shteteve.
Sot, Osmani zhvilloi takime produktive me Ministrin e Punëve të Jashtme të Sllovakisë, Miroslav Wlachovský, Sekretaren e Shtetit për Çështje Europiane të Francës, Laurence Boone, Sekretarin e Shtetit për Çështje Europiane të Portugalisë, Tiago Antunes, Përfaqësuesin Special të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stjuart Piç; anëtarin e Këshillit të Shtetit të Francës dhe ish-këshilltarin e Presidentit francez, Aleksandre Adam; , si dhe me Euro-deputetin dhe Raportues për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Europian, Ilhan Kyuchyuk.
Në fokus të bisedimeve ishin situata aktuale në vend në kontekst të integrimit në BE dhe rëndësia e përfundimit me sukses të procesit të ndryshimeve kushtetuese. U diskutuan edhe tema aktuale ndërkombëtare, me theks të veçantë në sfidat rajonale dhe globale nga agresioni rus kundër Ukrainës.
Më herët, në agjendën e Osmanit ishte takimi me Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Koresë, Xhin dhe mëngjesi i punës me shefat e diplomacisë dhe përfaqësuesit special për Ballkanin Perëndimor.