Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski pati takim me ministren e Punëve të Jashtme të Kanadasë, Melani Zholi. Në takim mori pjesë edhe ministrja e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska.
Bashkërisht u theksua besimi se vizita dhe bisedimet e sotme do t'i japin një shtysë të re forcimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimit të ndërsjellë, veçanërisht për faktin se është vizita e parë e një ministri të Punëve të Jashtme kanadeze në vendin tonë.
Në takim, Kryeministri Kovaçevski u falënderua për mbështetjen e vazhdueshme të vendosur nga Kanadaja në drejtim të realizimit të proceseve reformuese me qëllim të sigurimit të përparimit të vendit tonë në drejtim të integrimeve evropiane. Në këtë drejtim, ai shprehu besimin se, si shumë herë më parë, Maqedonia e Veriut do të mbrojë interesat e saj kombëtare dhe strategjike, dhe se është duke ndërmarrë hapa konkretë drejt sigurimit të anëtarësimit në BE.
Në aspektin e marrëdhënieve dypalëshe, Kryeministri Kovaçevski përshëndeti kultivimin e miqësisë tradicionale dhe bashkëpunimin e pasur dhe të gjithanshëm ndërmjet dy vendeve, veçanërisht në planin shumëpalësh.
Nënshkrimi i Deklaratës për bashkëpunim dhe partneritet strategjik nga viti 2018 ofron një bazë të qëndrueshme për përmirësimin e mëtejshëm të përgjithshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
Kryeministri Kovaçevski shprehu gjithashtu mirënjohje për mbështetjen e fuqishme të Kanadasë për anëtarësimin tonë në NATO, duke shtuar se Maqedonia e Veriut sot është një anëtare e respektuar dhe e përgjegjshme e komunitetit transatlantik. "Ne e vlerësojmë thellësisht partneritetin me Kanadanë si aleate të NATO-s dhe do të vazhdojmë të sillemi me përgjegjësi", theksoi Kryeministri Kovaçevski.
Ministrja e Punëve të Jashtme të Kanadasë, Melani Zholi, shprehu mbështetje të fuqishme që vendi të vazhdojë në rrugën e integrimeve evropiane, për të cilën ka mbështetje dhe interesim të qartë nga ana e Kanadasë për anëtarësimin sa më të shpejtë të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Në të njëjtën kohë, ministrja Zholi theksoi se sot më shumë se kurrë bota perëndimore duhet të jetë e bashkuar dhe Maqedonia e Veriut si pjesë përbërëse e saj e tregon këtë duke ndarë vlerat dhe angazhimet e njëjta.
Kovaçevski e potencoi rëndësinë e komunitetit të shumtë maqedonas në Kanada, i cili është pjesë e rëndësishme e mozaikut të pasur kanadez të kulturave dhe popujve, i cili ka dhënë dhe do të vazhdojë të japë një kontribut të rëndësishëm në ndërtimin dhe forcimin e Kanadasë. Komuniteti ynë është një urë lidhëse e rëndësishme ndërmjet dy vendeve, e cila gjithashtu ndihmon në ndërtimin e lidhjeve tona të ndërsjella”, theksoi Kryeministri Kovaçevski.
Një fokus i veçantë i takimit u vu në çështjen e forcimit të lidhjeve ekonomike ndërmjet Kanadasë dhe Maqedonisë së Veriut, për të cilën bashkërisht u vlerësua se në vendin tonë ka mundësi të mëdha për investime në sfera të ndryshme.