Rajoni i Ohrit ka ruajtur statusin e tij si një trashëgimi botërore me vlerë universale, e mbrojtur nga UNESKO.
Vendimi për mbajtjen e rajonit në listë u njoftua në sesionin e 45-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESKO-s, i cili po mbahet në Riad, Mbretëria e Arabisë Saudite.
Komiteti ka njohur kujdesin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për trashëgiminë e pasur kulturore të Ohrit dhe përgjegjësinë ndaj Liqenit të Ohrit.
Gjithashtu, Komiteti respektoi përpjekjet e përbashkëta të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë për ruajtjen e statusit prestigjioz të Rajonit të Ohrit si trashëgimi botërore
Në sesionin në Riad morën pjesë ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska-Stojçevska dhe ajo e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Kaja Shukova.
Ato shprehën mirënjohjen e tyre për shtetet anëtare të Komitetit për Trashëgimi Botërore, të cilat me Vendimin e miratuar vlerësuan angazhimet e sinqerta të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe për ekspertët e përfshirë, përfaqësues të sektorit civil, të komunave, në aktivitetet e ndërmarra për ruajtjen e statusit të Rajonit të Ohrit.
"Rëndësia e Rajonit të Ohrit është e pamatshme dhe e përhershme. Prandaj, është detyra jonë që të mos e rrezikojmë rajonin tonë të Ohrit, rajonin që bota e ka njohur dhe e verifikon veçantinë e tij, si një nga 39-të asetet e përziera në të gjithë botën, gjegjësisht 43 asetet ndërkufitare", tha ministrja Kostadinovska-Stojçevska pas Vendimit.
Në fjalimin e saj në sesion, ministrja Kostadinovska-Stojçevska theksoi se në rekomandimet e Komitetit për Trashëgimi Botërore për ruajtjen e statusit të Rajonit të Ohrit në listën e UNESKO-s, janë adresuar drejt obligimet dhe se nevojitet vëmendje e plotë nga të gjithë vendet, si dhe nga pushteti qendror, ashtu edhe nga vetëqeverisja lokale, institucionet, qytetarët.
Shumë gjëra i kemi nisur nga rekomandimet, por mbetet realizimi i plotë i tyre. Vazhdimisht duhet të kemi parasysh faktin se mosveprimi ynë sipas rekomandimeve do të jetë shkak për përfshirjen e Rajonit të Ohrit në listën e trashëgimisë botërore në rrezik", tha ministrja Kostadinovska-Stojçevska.
Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Kaja Shukova, vlerësoi se Vendimi i Komisionit ofron kohën e nevojshme për hapa të mëtutjeshëm domethënës drejt mbrojtjes, ruajtjes dhe menaxhimit të qëndrueshëm të Rajonit të Ohrit.
"Duke punuar së bashku me Republikën e Shqipërisë, jemi të vendosur që menaxhimin e këtij rajoni ta bëjmë shembull bashkëpunimi, për të garantuar integritetin dhe origjinalitetin e Rajonit të Ohrit dhe për t'ua përcjellë brezave të ardhshëm. Mbrojtja e natyrës dhe biodiversitetit mbetet synimi ynë, siç është miratimi i Ligjit për shpalljen e Studençishko Blato si zonë e mbrojtur në kategorinë IV - Parku i Natyrës dhe Ligji i ri për shpalljen e Liqenit të Ohrit zonë e mbrojtur në kategorinë III - Monument i Natyrës", njoftoi ministrja Shukova.
Në sesionin e Komitetit të UNESKO-s, ministret Kostadinovska-Stojçevska dhe Shukova theksuan se ekipet e ekspertëve nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë hartuar Planin Strategjik për rehabilitimin e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të Rajonit të Ohrit me një Plan Veprimi, që është një hap i rëndësishëm në zbulimin dhe trajtimin e faktorëve që ndikojnë negativisht në vlerat e Rajonit.
Është vlerësuar pozitivisht edhe nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore dhe është vënë në dukje në Vendimin e seancës së Komitetit në Riad.