Kovaçevski në pritjen për nder të anëtarësimit 50-vjeçar të Gjermanisë në KB

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, së bashku me zëvendëskryetarin e Qeverisë për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq, morën pjesë në pritjen e organizuar për nder të anëtarësimit 50-vjeçar të Gjermanisë në Kombet e Bashkuara, e cila u mbajt në selinë e Organizatës në Nju Jork.
 
Në pritje u riafirmua rëndësia e Gjermanisë si një partnere e përgjegjshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe mbrojtëse parimore e rendit ndërkombëtar bazuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe të drejtën ndërkombëtare. Gjatë dekadave të fundit, një Gjermani e bashkuar ka marrë përsipër përgjegjësinë në rritje në Kombet e Bashkuara dhe sot është kontribuuesi i dytë më i madh në sistemin e KB-së në tërësi dhe donatori i dytë më i madh dypalësh i ndihmës humanitare.
 
Kryeministri Kovaçevski e uroi kancelarin Olaf Sholc për anëtarësimin jubilar 50-vjeçar të Gjermanisë në KB dhe kontributin e madh të vendit në sistemin e përgjithshëm të KB-së. Në bisedën e shkurtër me kancelarin Sholc, Kryeministri Kovaçevski falënderoi për bashkëpunimin mes dy vendeve në kuadër të KB-së, por edhe në bazë dypalëshe në 30 vitet e fundit, duke e bërë Gjermaninë një nga partnerët më të afërt evropian të vendit tonë.
 
Në pritje, Kryeministri Kovaçevski pati biseda jozyrtare me më shumë liderë botërorë, në të cilat u dha shembulli i diplomacisë efektive nga Republika e Maqedonisë së Veriut, e cila këtë vit shënoi 30 vjetorin e anëtarësimit në KB dhe e cila, nga një vend që ka qenë një shfrytëzues i misioneve të paqes, sot është shtet nikoqir i bisedimeve ndërkombëtare për zgjidhjen e çështjeve me interes për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, BE-së dhe botës.