Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, sot në Samitin në kuadër të Procesit të Berlinit nënshkruan Marrëveshje për njohjen reciproke të kualifikimeve profesionale të infermierëve, kirurgëve veterinarë, akushereve dhe farmacistëve në kontekst të Marrëveshjes për tregtinë e lirë. Kjo marrëveshje është vazhdimësi e angazhimeve nga Samiti i fundit i Procesit të Berlinit kur liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor ranë dakord për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, atyre të mjekësisë stomatologjike dhe arkitektëve në kontekst të marrëveshjes së tregtisë së lirë.
Me këtë Marrëveshje inkurajohet lëvizshmëria e profesionistëve përmes harmonizimit të aftësive me nevojat e tregut të punës, duke theksuar qëllimet e promovimit të harmonizimit të rregulloreve dhe afrimit me ligjin e Bashkimit Evropian.
Qëllimi i kësaj Marrëveshje është të vendoset njohja me automatizëm e kualifikimeve profesionale bazuar në kushtet e trajnimit dhe të zbatohet për të gjitha profesionet e rregulluara në Marrëveshje dhe Direktivën e BE-së. Një rregullim i tillë lejon mobilitet me barriera të lehta administrative.
Sipas kësaj Marrëveshje, mënyra dhe kushtet që zbatohen për njohjen e kualifikimeve profesionale për profesionet e sektorit do të jenë konform me rregullat e Direktivës së BE-së. I njëjti siguron përfitim të shumëfishtë, sepse jo vetëm që do të zbatohen kriteret e BE-së në lëvizshmërinë e tregut të përbashkët, por vendet kanë detyrim të harmonizojnë programet edukative për këto profesione me kërkesat e BE-së, duke siguruar kështu cilësi dhe lëvizshmëri më të mirë të kuadrit në suaza të Ballkanit Perëndimor.
Marrëveshjet e tilla janë një tjetër konfirmim i rëndësisë së Procesit të Berlinit, i cili vazhdimisht kontribuon në përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet qeverive të Ballkanit Perëndimor dhe në inicimin e formave të lidhjes së përbashkët, si dhe Deklarata e liderëve nga Ballkani Perëndimor për tregun e përbashkët rajonal si provë katalizator për një integrim më të thellë ekonomik rajonal.