Me integrimin në Bashkimin Evropian, përfitimet do të jenë të mëdha si për qytetarët ashtu edhe për kompanitë, tha Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në intervistën e sotme në "Studio 10" në Televizionin 24.
Kryeministri Kovaçevski, në intervistë thekson se integrimi në BE do të thotë paga dyfish më të larta tashmë në pesë vitet e para, rritje të investimeve të huaja, zhvillim të kompanive vendase, si dhe ulje të papunësisë. Me rëndësi të madhe, veçanërisht për kompanitë e mëdha, është mundësia që hapet me anëtarësimin në BE, e ajo është dalja në një treg prej gjysmë miliardë banorësh, i cili është disa herë më i fuqishëm se tregu maqedonas, thotë Kryeministri Kovaçevski.
“Ju e dini se çfarë do të thotë të punosh në një moment në një treg prej 1.8 milionë banorë dhe me hyrjen në BE të bëhesh pjesë e një tregu, si kompani, me gjysmë miliardë njerëz, që është disa herë më i fuqishëm ekonomikisht se tregu ynë. Kjo është pika e integrimit në BE.
“Me integrimin në BE ka dyfishim të pagave dhe atë në 5 vitet e para, dyfishim të investimeve të huaja, dyfishim i numrit të kompanive, ulje të papunësisë, regjistrim të kompanive nga vendet e tjera në vendin tuaj”, tha Kryeministri.
“80 për qind e qytetarëve të Maqedonisë janë për anëtarësim në BE, këtë e vërteton edhe fakti se qytetarët tanë kur shkojnë për të punuar jashtë vendit, ata shkojnë në BE dhe SHBA. Shikoni ata që janë kundër integrimit të Maqedonisë në BE - kur duhet të shkojnë në punë, nuk shkojnë në Rusi për të punuar, shkojnë në BE ose në SHBA për të punuar. “Standardi është më i lartë, mbrojtja sociale është shumë më e lartë, demokracia është shumë më e lartë, mundësia për përparim është shumë më e mirë”, shtoi Kryeministri.
Bullgaria, Çekia, Sllovakia, Rumania, Polonia, në kohën e RSFJ-së ishin pas nesh, por tani janë më mirë sepse janë pjesë e BE-së, theksoi Kryeministri Kovaçevski në emisionin “Studio 10” në Televizionin 24.