Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti dhe ministrin e Financave, Fatmir Besimi, mbajtën konferencë për shtyp, në të cilën njoftuan se në mbledhjen e sotme të Qeverisë, u mor vendimi për miratimin e punësimit me kohë të pacaktuar në institucionet shëndetësore publike në vend.
“Në mbledhjen e sotme të Qeverisë morëm vendim për miratimin e punësimit me kohë të pacaktuar në institucionet publike shëndetësore në vend për gjithsej 1.117 persona. Bëhet fjalë për vende pune për të cilat institucionet shëndetësore kanë dorëzuar të dhënat për punësimin e kuadrove prioritare. Si Qeveri, ne kemi treguar se punojmë së bashku dhe me përkushtim për të përmirësuar jetën e qytetarëve dhe i kushtojmë vëmendje temave kyçe. Njerëzit janë pasuria jonë më e madhe, vlera jonë më e madhe. Ata kanë njohuri, kanë kapacitet, janë punëtorë dhe mu për këtë vendime të tilla sot më bëjnë jashtëzakonisht të lumtur. Mjekët tanë kanë dëshmuar se mund të kryejnë operacione të sofistikuara këtu në vendin tonë, nga operacionet më të ndërlikuara e deri te transplantet që nuk kanë ekzistuar në të kaluarën. Prandaj të gjithë ata mjekë të rinj që aktualisht punojnë me kontratë do të mund të vazhdojnë punën e tyre në institucionet publike shëndetësore dhe të plotësojnë kapacitetet e tyre, por edhe shëndetësore të shtetit”, tha Kryeministri Kovaçevski në konferencën e sotme për shtyp, duke shtuar se këto vendime janë vazhdimësi e vendimeve në shëndetësi, me të cilat përmirësohen kushtet për punëtorët shëndetësorë, sepse punonjës shëndetësorë të kënaqur do të thotë pacientë të kënaqur.
Duke theksuar se procedurat për punësim në institucionet publike shëndetësore janë shkurtuar për të mundësuar plotësimin më të lehtë dhe më të shpejtë të pozitave në shëndetësi, Kryeministri Kovaçevski, theksoi se Qeveria do të bëjë gjithçka që stafi të mbetet këtu. Me këtë, Kryeministri vuri në dukje të arriturat e Qeverisë në sektorin e shëndetësisë, siç janë rritja e pagave, sigurimi i barnave të nevojshme, trajnimi i punëtorëve shëndetësorë dhe projektet kapitale me të cilat janë përmirësuar kushtet në shëndetësi.
“Fokusi ynë është krijimi i shëndetësisë moderne, një sistem që do të funksionojë në të mirë të qytetarëve. Vitet e fundit, për herë të parë pas dekadash janë rinovuar më shumë objekte shëndetësore dhe kemi pajisje të shtrenjta për trajtim në objektet shëndetësore në mbarë vendin, jo vetëm në Shkup. Qytetarët tanë meritojnë kujdes të lartë shëndetësor, i cili çdo ditë përparon dhe i cili rrit kapacitetet e saj për kujdesin për të gjithë qytetarët që kanë nevojë për kujdes shëndetësor”, tha Kryeministri Kovacevski, duke falënderuar ministrat Mexhiti dhe Besimi, si dhe punëtorët shëndetësorë për punën e tyre të përkushtuar.
Ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti, në konferencën për shtyp theksoi se investimi në punëtorët shëndetësorë është një nga segmentet më të rëndësishme për të ardhmen në shëndetesinë publik.
“Vendimi i Qeverisë hap mundësinë e punësimit me kohë të pacaktuar në institucionet shëndetësore publike. Në periudhën e kaluar, edhe në kohë krize, investimet në shëndetësi kanë qenë të mëdha. Ne investojmë jo vetëm në pajisje dhe infrastrukturë, ne investojmë edhe në staf, rritjen e pagave, shtesat për punonjësit e shëndetësisë. Me investime të tilla serioze në shëndetin publik, ne ndihmojmë në ngritjen e cilësisë së shërbimit, lehtësimin e qasjes në shërbimet shëndetësore dhe përpiqemi që pacientëve tanë t'u ofrojmë shëndetësi evropiane”, tha ministri Mexhiti, i cili shtoi se investimet në shëndetësi do të vazhdojnë.
“Ky vendim është në drejtim të asaj që është prioritet i qartë i Qeverisë, forcimi i kapitalit njerëzor. Shëndetësia, së bashku me arsimin dhe mbrojtjen sociale janë tre komponentët kryesorë për forcimin e kapitalit njerëzor dhe besoj se me këtë vendim, pas disa takimeve të vështira të disa institucioneve, arritëm që bashkërisht të arrijmë një vendim që krijon dhe ruan thelbin e kapitalit njerëzor të personelit shëndetësor dhe teknik me të cilin do të mund të kryejnë funksionin e tyre human ndaj qytetarëve dhe qytetarët të kenë kujdes shëndetësor cilësor, duke pasur parasysh trendin e lëvizjeve demografike, veçanërisht të punëtorëve shëndetësorë”, tha ministri Besimi.
Ai shtoi se ky vendim, i cili ishte kërkesë e sektorit dhe prioritet i Qeverisë, është përfshirë në Buxhetin e vitit të ardhshëm, në të cilin po ashtu ka 50% më shumë mjete për kujdesin shëndetësor në krahasim me vitin 2019 dhe 2020.
“Ka një rritje të vazhdueshme të mjeteve për sektorin e shëndetësisë, por është e rëndësishme që qytetarët që sigurojnë vendin e tyre të punës ta ndjejnë atë financim, si dhe ofrimin e shërbimeve cilësore nga punëtorët shëndetësorë”, tha ministri Besimi.