Xhaferi: Gjykata Administrative dhe institucionet të mbrojnë besueshmërinë e zgjedhjeve

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, mbajti konferencë për shtyp në lidhje me rrumbullakimin e proceseve zgjedhore të zgjedhjeve të dyfishta në shtet.

Në vazhdim është teksti i plotë i konferencës për shtyp të Kryeministrit Xhaferi:

Në cilësinë e Kryeministrit të Qeverisë së Republikës se Maqedonisë se Veriut dhe përgjegjës për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, kam pranuar raporte nga pjesëmarrës në procesin zgjedhor për shqetësime në lidhje me tentativa për inzhinjering zgjedhor me marrëveshje ndërpartiake jashtë-institucionale për votim dhe mbivotim në Komisionin Shtetëror Zgjedhor në lidhje me ankesat e dorëzuara simptomatike nga ana e pjesëmarrësve në zgjedhje.

Sipas raporteve, ky pretendim për inzhinjering zgjedhor ka për qëllim ndryshimin e raporteve të numrave në Kuvend nëpërmjet marrëveshjes politike në tavolinë.
 
Kredibiliteti i zgjedhjeve dhe procesit demokratik, i pranuar dhe përshëndetur nga të gjitha partitë dhe komuniteti ndërkombëtar, tash është në duart e gjykatës administrative dhe unë ftoj të gjitha institucionet të veprojnë në përputhje me Ligjin, pa direktiva partiake ose politike nga cilado palë, dhe të mbrojnë kredibilitetin e procesit zgjedhor deri në fund, pa hedhur asnjë njollë mbi vullnetin e qytetarëve të shprehur në zgjedhje.