Mickoski për LSDM-në: Buxhetin e lanë pa 5 miliardë denarë për pensionistët dhe pa 3,7 miliardë denarë për bujqit

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot mori pjesë në vënien e gurthemelit për ndërtimin e kopshtit të ri për fëmijë në vendbanimin Trubarevë, në komunën e Gazi Babës, ku në përgjigje të pyetjes gazetareske për kritikat e opozitës se ribalancimi i buxhetit nuk është zhvillimor, theksoi se opozita aktuale mendon se sa më shumë të sajojë dhe të kritikojë, aq më shumë do t'u lërë përshtypje qytetarëve, por e vërteta është se ata kanë lënë pas buxhet pa 5 miliardë denarë për pensionistët dhe pa 3,7 miliardë denarë për bujqit.

“Ata zgjohen në mëngjes, e fillojnë ditën dhe mendojnë se çfarë të sajojnë. Detyra jonë është të punojmë për qytetarët dhe për shtetin si Qeveri. Ne dallojmë për nga synimet. Synimi i tyre është që të sajojnë dhe të kritikojnë, mundësisht sa më shumë të kritikojnë dhe sajojnë, aq më shumë mendojnë se kanë lënë përshtypje të madhe te qytetarët ndërsa synimi ynë është që të zbatojmë sa më shumë projekte të tilla. Ne do të bëjmë punën tonë e ata le ta shohin të tyren. Vitin e ardhshëm do të ketë zgjedhje lokale dhe qytetarët do të tregojnë në zgjedhje se kush për çfarë është. A është kjo që po thonë këto apo ajo që punojmë ne”, theksoi Mickoski.

Ai gjithashtu shtoi se ata që tani kritikojnë e lanë buxhetin pa 5 miliardë denarë për pensionistët dhe pa 3,7 miliardë denarë për bujqit.

“Sa i përket kritikës që e përmendët, vetëm do të përmend se kanë lënë buxhet pa 5 miliardë denarë të rregullt për pensionistët. 5 miliardë denarë mungonin. Pse? Sepse në mënyrë kontrabandiste kanë paguar një pension në vitin fiskal të ri për vitin fiskal të mëparshëm. Në janar për dhjetor. Ky është realiteti, vetëm kaq do t'ju them. Kanë harruar disi pesë miliardë denarë, nuk e di si. Meqë thonë se ka para, ja le të vijnë e t'u tregoj dhe të shohin në mënyrë empirike se si i kanë harruar 5 miliardë denarë për pensionistët. Ekzistonte mundësia që të mos ketë pensione për pensionistët, theksoi Mickoski dhe shtoi:

“Më tutje kanë harruar 3,7 miliardë denarë për bujqit, nuk e di si, pyesni ata do ju thonë. Janë zhdukur, ndaj na u desh t'i gjenim. Tani një miliard e 700, pastaj dy miliardë vitin tjetër, etj. Kanë harruar, le të themi diku rreth gjysmë miliard për rroga për pyjet nacionale, dhe a po shpallnin edhe konkurse nëse ju kujtohet para zgjedhjeve. Kanë shpallur konkurse, por kanë harruar gjysmë miliardë euro për t’i ndihmuar, sepse 4 muaj nuk kanë marrë paga njerëzit dhe tani nuk ka kush të ndihmojë në shuarjen e zjarreve”.