Mickoski: Qindra miliona euro janë nxjerrë nga ELEM-i dhe KXE dhe kemi indikacione serioze për krim, prandaj ata duan të gjenerojnë destabilizim

“Vetëm për disa tenderë në ESM janë marrë 100 milionë euro”, thotë kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në paraqitjen e sontme në emisionin Për apo Kundër në Televizionin Alfa.

Kryeministri Mickoski theksoi se ka shumë dyshime të bazuara, gjegjësisht, siç tha ai, ka disa raste ku ka dyshime të bazuara me informacione.
“Por që tani e tutje do të hyjmë edhe me dëshmi të abuzimeve të rënda. Kemi dyshime të bazuara. Në pjesë të këtij dyshimi të bazuar jemi duke hetuar, sot kisha takim me anëtarët e Bordit të ri Drejtues të SHA ESM dhe me informacionet që kam dhe ua kam përcjellë edhe atyre, sepse sot është dita e parë e tyre e punës, mund të them se ka të paktën disa raste ku ka dyshime të arsyeshme të mbështetura në informacione. Por që tani e tutje ne do të hyjmë edhe me prova për abuzim të rëndë," deklaroi ai.

Mickoski theksoi se përmes tenderëve janë vjedhur qindra miliona euro, duke shtuar se për të njëjtat shërbime kur ai ka qenë drejtor i SHA ESM, dikur ELEM janë paguar nga 86 denarë, ndërsa tani e njëjta është rritur për 3 deri në 4 herë, gjegjësisht për 240 denarë.

“Qindra miliona janë nxjerrë, vjedhur, janë vjedhur përmes tenderëve ku për shërbim paguhet nga 3 deri në 4 herë, edhe kompanive që duan të marrin pjesë në ato tenderë ju vjen dikush që u thotë të mos konkurrojnë në ato tenderë sepse ajo punë është e dedikuar për dike tjetër”, sqaroi kryeministri Mickoski dhe shtoi:

“Shërbimet që kur kam qenë drejtor i ELEM-it të atëhershëm paguheshin 86 denarë, ndërsa sot paguhen për 240 denarë”.