Perinski: Është shpallur thirrje publike për projekte në vlerë prej 250 milionë euro, komunat mund të aplikojnë për projekte infrastrukturore nga fusha e kulturës, sportit, mjedisit jetësor, infrastrukturës rrugore, politikës sociale dhe arsimit

Të nderuar,

Premtuam zhvillim të komunave dhe këtë po e realizojmë.

Kam kënaqësinë të ju njoftoj se sot e shpallim thirrjen publike për financimin e projekteve me karakter infrastrukturor i dedikuar për të gjitha njësitë e vetëqeverisjes lokale në shumë prej 6.000.000.000 denarë, mjete të siguruara me ribalancimin e Buxhetit.

Komunat mund të aplikojnë me një ose më shumë projekte infrastrukturore nga fusha e kulturës, sportit, mjedisit jetësor, infrastrukturës rrugore, si dhe nga fusha e politikës sociale dhe arsimit.

Thirrja publike tashmë është hapur dhe shpallur në ueb-faqen e Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale dhe në ueb-faqen e Qeverisë dhe është shpallur në dy gazeta.

Afati për plotësimin e formularit për aplikim është 7 ditë dhe i njejti i plotësuar me propozim projektet nga komunat duhet të dorëzohet në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale.

Më pas, në afat prej 10 ditëve, dokumentacioni i plotë i projektit, nga ana e komunave i dorëzohet ministrisë përkatëse nga zona e projektit, ku do bëhet vlerësimi i të njëjtit.

Vlerësimi pritet të përfundojë në afat jo më të gjatë se 10 ditë dhe në bazë të së njëjtës, ministritë përkatëse përgatisin propozim vendim se cilat projekte do të financohen nga fusha e tyre dhe ai propozim vendim dërgohet për miratim në mbledhje të Qeverisë.

Mjetet do të ndahen nëpërmjet 6 ministrive përkatëse që korrespondojnë me fushën e projektit:

- Ministria e Kulturës dhe Turizmit;
- Ministria e Transportit;
- Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë;
- Ministria e Arsimit dhe Shkencës;
- Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe
- Ministria e Sportit.

Për të ndjekur gjithë procesin, është formuar trup koordinues qeveritar, i cili do të udhëhiqet nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale dhe në të do të marrin pjesë përfaqësues nga të gjitha ministritë përkatëse.

Me shpalljen e thirrjes, Qeveria e ka përmbush premtimin e saj, tani e kanë rradhën komunat. Si asnjëherë deri më tani, njësitë e vetëqeverisjes lokale kanë mundësi të avancojnë infrastrukturën e tyre dhe në këtë mënyrë të ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve të tyre.