Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në intervistë në Studion e Hapur “100 Ditë Qeveri” në RTM, duke folur rreth asaj se pse ndryshimet kushtetuese janë problem të miratohen para se të fitohen garanci të qarta se nuk do të ketë pengesa të reja nga ana e Bullgarisë në rrugën drejt BE-së, theksoi se kemi problem edhe me faktin se Bullgaria nuk i lejon maqedonasit të regjistrojnë atje, qoftë edhe një organizatë joqeveritare, ndërsa Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut nuk ka asnjë vendim të vetëm për të drejtat e shkelura të bullgarëve në Maqedoni, kundrejt atyre 14 në favor të maqedonasve në Bullgari.
“Kam problem tani, sepse në këtë moment e parashtroj pyetjen pse tani. Ja më thoni pse tani. Të drejtat e dikujt janë shkelur, njerëzore? Nëse janë shkelur të drejtat e njeriut, kush është Bojko Borisov apo Radev apo Hristijan apo Petko, Trajko ska rëndësi, a duhet të vlerësojë një politikan nëse i shkelen të drejtat e dikujt? Ekziston një institucion që quhet Gjykata për të Drejtat e Njeriut në Strasburg i cili thotë se 14 aktgjykime për komunitetin maqedonas në Bullgari, të cilës as një organizatë joqeveritare nuk i lejohet të regjistrojë dhe zero për komunitetin bullgar në Maqedoni”, tha Mickoski.
Ai shtoi se ka problem me atë që në Bullgari, e cila është anëtare e BE-së, nënshkruese e Konventës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, maqedonasit nuk lejohen as të regjistrojnë një organizatë joqeveritare.
“Kam problem sepse bashkëkombasit e mi atje nuk mund të organizojnë as organizatë joqeveritare, e jo më për Kushtetutën. Ja kushtetuta e tyre nuk qenka e tillë, në rregull, jepini njerëzve të paktën organizatë joqeveritare. Dhe imagjinoni tani që të jetë e gjithë kjo hipokrizi kështu të kulminojë edhe më shumë, kur propozohej metodologjia e re për anëtarësim në BE, ndër institucionet që ishin kyçe në marrjen e vendimit ishin Komisioni i Venecias dhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, theksoi Mickoski dhe shtoi:
“Një vend anëtar i BE-së, nënshkrues i Konventës për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, nuk dëshiron ta përmbushë këtë. Ku ta marr garancinë se në gjashtë muaj nuk do të ketë veto të re për diçka tjetër”.