Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, i angazhuar për politika të qeverisjes së mirë, Arben Fetai, sot në zyrën e tij ka takuar drejtoreshën e Agjencisë për mbrojtjen e të drejtës për qasje të lirë në informata publike, Plamenka Bojçeva.
Në takim u diskutua për ndryshimet e paralajmëruara në Ligjin për qasje të lirë në informata publike, të cilat janë duke u hartuar nga Ministria e Drejtësisë. Drejtoresha Bojçeva shpjegoi propozimet e Agjencisë për përmirësimin e tekstit të ligjit, të cilat nëse pranohen do të përmirësojë zbatimin e ligjit dhe do të rrisin transparencën e institucioneve.
Zëvendëskryetari i Qeverisë, Fetai, vlerësoi përpjekjet e deritashme të Agjencisë për zbatimin e ligjit aktual dhe shprehu mbështetjen politike të Qeverisë për aktivitetet e saj, të cilat ndihmojnë për rritjen e transparencës së institucioneve. Fetai paraqiti edhe propozime të tjera, të cilat gjithashtu mund të përmirësojnë tekstin e ligjit dhe të forcojnë zbatimin e tij.
Palët u pajtuan në të ardhmen të bashkëpunojnë ngushtë përmes shkëmbimit të informacionit për shkallën e zbatimit të ligjit, problemeve të evidentuara dhe zgjidhjet e mundshme për tejkalimin e tyre.