Ministri Durmishi takon ambasadorin Hungarez Andrash Klajn: Përmirësimi i klimës së biznesit dhe tërheqja e investimeve të huaja prioritet për ne

Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi sot në ambientet e Ministrisë mirëpriti në një takim ambasadorin e Hungarisë në vendin tonë, Andrash Klajn. Në takim u fol për marrëdhëniet në mes dy vendeve, bashkëpunimin intensiv ekonomik veçanërisht pas nënshkrimit të Marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik. 

Gjithashtu, në takim u theksua se Ministria e Ekonomisë dhe Punës me riorganizimin e saj do të fokusohet në përmirësimin e klimës së biznesit në vend, mbështetjen e kompanive vendase, mbështetjen e sipërmarrjes, përmirësimin e kushteve për investitorët e huaj, si dhe përmirësimin dhe zhvillimin e tregut të punës. Në periudhën në vijim si Ministri e Ekonomisë dhe Punës do të punojmë për përmirësimin e klimës së biznesit për të tërhequr investime të reja të huaja. Investitorët hungarezë janë të mirëseardhur në vendin tonë dhe shpresoj që në periudhën e ardhshme, përmes bashkëpunimit të përbashkët, të sjellim kompani të reja nga Hungaria për të punuar në tregun vendor, me qëllim të forcimit të mëtejshëm të lidhjeve ekonomike mes dy vendeve.

Ministri Durmishi falënderoi ambasadorin dhe shtetin e Hungarisë për mbështetjen e saj parimore dhe të vazhdueshme si mbështetëse e zëshme e integrimeve evropiane të Maqedonisë së Veriut, e cila përfaqëson interesin tonë strategjik dhe kombëtar, veçanërisht tani që Hungaria po kryeson Bashkimin Evropian.