Nënkryetari i Qeverisë i ngarkuar për politika të qeverisjes së mirë, Arben Fetai dhe ministrja e Financave, Gordana Dimitrievska Kochovska, sot në Bruskel morën pjesë në tryezën e rrumbullakët kushtuar sfidave të Evropës në rrethanat e reja gjeostrategjike në botë, organizuar nga Miqtë e Evropës.
Në debat morën pjesë përfaqësues të lartë të Komisionit Evropian dhe ministra të vendeve evropiane, si dhe përfaqësues të kompanive të njohura evropiane dhe botërore, të cilët u përpoqën të japin përgjigje për çështje të rëndësishme në një mjedis shumë më kompleks për Evropën, veçanërisht me luftën në Ukrainë.
Komisionerja për Epokën Dixhitale dhe Konkurrencën, Margarit Vestiger tha se konkurrenca është e rëndësishme për ekonominë evropiane, por bashkëpunimi i të gjithë aktorëve është edhe më i rëndësishëm për të siguruar një të ardhme më të mirë, por edhe për solidaritet dhe përfshirje sociale.
Pjesëmarrësit e debatit folën edhe për përpjekjet e qeverive dhe BE-së për rëndësinë e përfshirjes së sektorit privat si partner në zgjidhjen e problemeve thelbësore.
Në tryezën e rrumbullakët kushtuar marrëdhënieve të Evropës me SHBA-në dhe Kinën si dhe për rolin e NATO-s për sigurinë në botë, foli ish-ndihmës Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Xhejmi Shi.
Më parë u organizua një mbrëmje Gala, ku ish-kryeministri italian Mario Monti foli për zgjidhjen e sfidave të Europës para rreth 300 pjesëmarrësve.