Mali i Zi i gatshëm të ndihmojë Maqedoninë e Veriut në rrugën drejt BE-së

Zëvendëskryeministri përgjegjës për politika të qeverisjes së mirë, Arben Fetai, takoi dje në Podgoricë zëvendëskryeministrin e Malit të Zi, përgjegjës për sistemin politik, drejtësi dhe antikorrupsion, Momo Koprivica.

Në takim u konstatua se dy vendet kanë marrëdhënie miqësore, pa çështje të hapura, të gatshme për të bashkëpunuar dhe ndihmuar njëra-tjetrën.

Zëvendëskryeministri Fetai uruoi kolegun e tij Koprivica për progresin e Malit të Zi në rrugën integruese. “Suksesi i Malit të Zi dhe Shqipërisë për anëtarësim në BE është motivim për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor”, tha Fetai.

Ai  i prezantoi nikoqirit aktivitetet dhe sfidat e Kabinetit të tij dhe shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar në tema të ndryshme me interes të përbashkët. Ai posaçërisht theksoi funksionimin e Këshillit të Malit të Zi për Koordinimin e Luftës kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe për sistemin për konfiskimin e pasurisë së paligjshme.

Zëvendëskryeministri Koprivica informoi për raportin pozitiv të BE-së për Malin e Zi për drejtësinë dhe të drejtat themelore dhe mbylljen e katër kapitujve në bisedimet me BE-në.

“Mali i Zi ka një perspektivë të qartë për anëtarësim në BE. Kjo duhet të jetë frymëzim shtesë për vendet e tjera në rajon”, tha Koprivica, duke shtuar se përparimi i vendit të tij është kryesisht për shkak të vendimeve gjyqësore për ndëshkimin e korrupsionit të zyrtarëve të lartë.

Ai tha se Qeveria e Malit të Zi është e gatshme ta ndihmojë Maqedoninë e Veriut me njohuritë dhe ekspertizën e fituar gjatë procesit të negociatave me BE-në, por edhe për fusha të tjera për të cilat ka interes nga pala maqedonase.