Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, gjatë pjesëmarrjes së tij sonte në Studion e Hapur me temë “Buxheti 2025” në TVM, theksoi se nuk ka më firma fantazmë që marrin para nga arka shtetërore përmes faturave fiktive për kthimin e TVSH-së, si dhe se për këtë arsye, në tetor, për herë të parë në Buxhet kishte suficit, duke mundësuar pagesën e pensioneve më të larta, si dhe pagave më të larta në sektorët e arsimit dhe shëndetësisë.
“Pas një kohe të gjatë, ne patëm një suficit në Buxhet dhe kjo ndodhi në tetor, diku rreth 1 miliard e 125 milion denarë. Ky ishte një sukses i mirë për Qeverinë dhe kjo ndihmoi në stabilizimin e disa situatave. Po flas nga këndvështrimi i likuiditetit. Në aspektin e luftës kundër ekonomisë gri, mund të them se rritja e të ardhurave që vijnë nga puna e Drejtorisë së të Ardhurave Publike dhe Doganave matet kryesisht në përqindje dyshifrore, 12, 15, madje edhe mbi 20 për qind. Kjo do të thotë që nuk ka më firma fantazmë që kërkojnë kthim të TVSH-së,” tha Mickoski dhe shtoi:
“Gjashtë muaj që kur jemi në Qeveri, shumë nga firmat fantazmë të cilat shpeshherë më pas falimentonin, shiteshin te persona që nuk ekzistojnë jashtë vendit dhe shkaktonin një vrimë të madhe në buxhet, saqë në disa momente likuiditeti vihej në pikëpyetje. Tani, kjo nuk ndodh më. Parimi “si deri më tani” nuk ekziston, dhe për këto arsye është paraqitur ky suficit që për ne ka shumë rëndësi. Dhe imagjinoni, në të njëjtën kohë, kemi pensione të rritura, në nëntor, nga këndvështrimi i likuiditetit, dhe paga të rritura në sektorin e arsimit, shëndetësisë dhe të ngjashme.”