OSBE do të mbështesë zbatimin e strategjisë së re për konfiskimin e pasurisë

Zëvendëskryeministri i ngarkuar për politikat e qeverisjes së mirë, Arben Fetai, zhvilloi sot një takim me delegacionin e OSBE-së nga Departamenti për Krimin e Organizuar Transnacional dhe Korrupsionin, i kryesuar nga Merima Abdiq, zyrtare e projektit “Fuqizimi i Përpjekjeve për Rikthimin e Pasurive”.

Znj. Abdiq prezantoi projektin dhe nënvizoi se lufta kundër korrupsionit mbetet një prioritet për OSBE-në dhe përkrahësit kryesorë të projektit – SHBA-në dhe BE-në. Ajo theksoi gatishmërinë për të ndarë përvoja në menaxhimin e pasurive të konfiskuara dhe në ripërdorimin social të mjeteve të gjeneruara nga shitja e aseteve.

Zëvendëskryeministri Fetai informoi për rolin e tij si kryesues i Trupit Ndërsektorial për Koordinimin e Aktiviteteve Kundër Korrupsionit, duke theksuar angazhimin për miratimin e shpejtë të strategjisë së re për konfiskimin e pasurisë, e cila aktualisht është në procedurë qeveritare. Theks i veçantë iu dha mbështetjes nga ana e OSBE-së institucioneve përgejgjëse për konfiskimin dhe menaxhimin e pasurive të paligjshme, si dhe nxitjes së ripërdorimit social të mjeteve të gjeneruara nga shitja e aseteve të konfiskuara.