Në prag të Shën Savës - festës kombëtare të bashkësisë etnike serbe në Republikën e Maqedonisë së Veriut, sot u mbajt një ceremoni festive në ambientet e Ministrisë për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, e cila u pasua me pjesëmarrjen e Ambasadores së Serbisë në Shkup, shkëlqesisë së saj, Nevena Jovanoviq.
Në fjalimet e tyre, zëvendëskryeministri dhe ministri për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Ivan Stoilkoviq dhe ambasadorja Jovanoviç theksuan rëndësinë e ruajtjes së traditës si dhe respektin dhe mbështetjen reciproke si pjesë e mozaikut multikulturor dhe multietnik që po e ndërtojmë së bashku.
Me pjesëmarrjen e tyre dhe një program të përshtatshëm, këtë ngjarje e pasuruan edhe nxënësit nga klasa e parë e deri në të pestën të shkollës fillore "Braqa Ribar" nga fshati Tabanoc, Kumanovë bashkë me shkollat periferike të fshatrave Çetircë dhe Konjare e Epërme si dhe nxënësit e shkollës "Svetozar Markoviq" nga Nagoriçani i Vjetër. Në nder të Shën Savës, fëmijët pjesëmarrës në këtë program morën dhurata të përshtatshme, përfshirë edhe nga një abetare në gjuhën serbe.
Shën Sava është shpallur festë kombëtare për serbët në vend me ndryshimin e ligjit për festat më 8 shkurt 2007 dhe që atëherë kjo ditë është ditë jo pune për pjesëtarët e bashkësisë etnike serbe.
Gëzuar 27 Janarin – festën kombëtare të serbëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut.