Mickoski: Drejtori i ASK-së, Hristovski kreu tre operacione komplekse kundër qelive serioze terroriste – Duhet të vlerësohet sipas punës

Në emisionin “360 Shkallë” në RTM, kryetari i Qeverisë Hristijan Mickoski u pyet për zgjidhjet kadrovike, me theks në emërimin e Bojan Hristovskit si drejtor i Agjencisë për Siguri Kombëtare (ASK).
“Fakt i pamohueshëm është që Bojan Hristovski aktualisht posedon një certifikatë sigurie të nivelit më të lartë. Jo vetëm në vendin tonë, por edhe në kuadër të NATO-s. Këtë certifikatë e posedojnë 36 persona, përfshirë edhe mua, 12 të punësuar në DSIK dhe njerëz që punojnë në misionin e NATO-s në Bruksel. Këtë certifikatë e posedon edhe Bojan Hristovski,” u përgjigj kryeministri Mickoski, duke shtuar se kjo certifikatë lëshohet nën rregulla dhe monitorim të rreptë nga Aleanca e NATO-s.

“Nuk mund të ndodhë që persona të punësuar brenda perimetrit të NATO-s, të cilët posedojnë këtë certifikatë të lëshuar nga e njëjta strukturë, të mos jenë të monitoruar nga vetë NATO-ja. Absolutisht, të gjitha këto teza në opinion se ai nuk i plotëson kushtet për certifikatë sigurie apo nuk e di çfarë, bien poshtë,” përfundoi Mickoski.

“Vetëm në disa javët e fundit që kur është emëruar, përkatësisht disa muaj atje ku është, Hristovski ka treguar rezultate të jashtëzakonshme së bashku me partnerët strategjikë në shkatërrimin e tre qelive shumë serioze terroriste në vend.
Pyetja është pse në të kaluarën ato nuk janë eliminuar,” tha Mickoski, duke theksuar se si kryeministër, ai mund të gjykojë bazuar në cilësinë e kryerjes së detyrave të punës, për të cilat mund të thuhet se janë të jashtëzakonshme në këtë moment.