Sot patëm, do të thosha, një ushtrim ku u simulua një sulm kibernetik ndaj një pjese të institucioneve shtetërore dhe më pas, natyrisht, u morën vendime nga Shtabi i Krizave në Qeveri për hapat që duhen ndërmarrë dhe mendoj se nga e gjithë kjo mund të nxjerrim vetëm një mësim pozitiv, në mënyrë që, mos e dhëntë Zoti, nëse ndodh, të dimë si të reagojmë dhe cilat janë hapat që duhet të ndërmarrim si Qeveri.
Është mirë që nga partnerët tanë strategjikë të marrim përvojë se si funksionon e gjithë kjo. Si Qeveri, kemi vendosur prioritet në pjesën e digjitalizimit të shtetit, diçka që është shumë e rëndësishme dhe thelbësore. Kemi një fokus dhe prioritet të madh në këtë drejtim dhe po përpiqemi të korrigjojmë diçka që ndoshta në të kaluarën është bërë gabim.
Ne kemi një situatë të çuditshme, kemi recovery, mbrojtje sekondare, gjegjësisht një Qendër të të Dhënave ose siç njihet si Data Center, e cila shërben praktikisht për rikthimin e të dhënave të humbura në rast të një sulmi kibernetik, por nuk kemi një qendër primare të të dhënave dhe pjesa më e madhe e institucioneve dhe serverëve përdorin outsourcing për t'u mbrojtur. Më saktë, secili mbrohet ashtu siç di dhe mundet, por kjo nuk është një qasje e organizuar.
Kemi vendosur fokusin këtu për të krijuar një qendër primare të të dhënave, ose një Data Center, e cila më pas do të jetë e lidhur dhe e integruar me institucionet e shtetit, në mënyrë që të mund të jemi më efikasë në një vend, në një pikë.
Dhe e gjithë kjo është në rangun e prioriteteve, njësoj si siguria e përgjithshme në shtet. Prandaj, mendoj se në periudhën që vjen kemi një sfidë të madhe këtu, e cila tashmë është e vendosur në prioritetet e Planit për Rritje, për të cilin presim financim dhe ndihmë nga Bashkimi Evropian. Kështu që, e gjithë kjo është pjesë e sigurisë së shtetit dhe ne si Qeveri kemi përgjegjësi të sigurojmë këtë siguri, sepse në këtë mënyrë mbrojmë sovranitetin e Maqedonisë si shtet.