Transhi i parë, në shumën prej rreth 11 milionë euro, nga mjetet e destinuara për mbështetjen e kompanive të siguruara përmes kredisë hungareze, do të paguhet pasnesër, pra mjetet do të transferohen nga Buxheti qendror në bankën zhvillimore, njoftoi ministrja e financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska.
Në deklaratë për Kanal 5 nga Budapesti, ajo theksoi se kërkesa nga kompanitë për shfrytëzimin e këtyre mjeteve është disa herë më e lartë se shuma e kredisë dhe se mjetet janë të disponueshme për të gjitha kompanitë.
"Sipas kushteve të përcaktuara nga Qeveria, të drejtë qasjeje në këto mjete kanë të gjitha kompanitë, me përjashtim të atyre që merren me prodhimin e pijeve alkoolike, prodhimin apo tregtinë e duhanit, si dhe veprimtaritë e lidhura me lojërat e fatit, kazinotë dhe ndërmarrjet ekuivalente," tha ministrja, duke shtuar se nuk ka qasje të drejtpërdrejtë në vendimet e bankave për atë se cilat projekte do të mbështeten, por nëse ka devijime, bankat mund të rishikojnë aplikacionet dhe të marrin parasysh bilancet e kompanive.
Ajo foli gjithashtu për pjesën e kredisë së tërhequr nga Hungaria për mbështetjen e komunave dhe shprehu kënaqësi për realizimin e këtyre mjeteve.
"Pres të kemi realizim të shkëlqyer, duke pasur parasysh se kemi një vit zgjedhor dhe se çdo kryetar komune, pavarësisht nga cila parti politike vjen, do të ketë dëshirë të realizojë sa më shpejt projektet me të cilat do të aplikojë," tha ministrja.
Ministrja e Financave, dje dhe sot, së bashku me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe ministra të tjerë të Qeverisë, mori pjesë në samitin maqedono-hungarez në Budapest.