"Gjatë ditës së djeshme vizitova pacientë. Edhe gjatë ditës së sotme, po ashtu, vizitova pacientë. Si dje, ashtu edhe sot, i kam respektuar të gjitha protokollet që më janë kërkuar në mënyrë absolute nga personeli mjekësor, nga mjekët e të tjerët. Si dje, ashtu edhe sot, nuk do të shihni askund fytyrën apo të dëgjoni apo lexoni emrin e ndonjë pacienti që kam vizituar. Do t’i shihni të gjitha fotografitë sot, do të shihni se si kam hyrë. Ka pasur edhe të tillë që kanë hyrë me kamera dhe të ngjashme. Por, siç e keni parë, dje dhe sot, unë askund nuk kam hyrë me kamera, as nuk kam ndërmend të bëj PR nga e gjithë kjo. Fotot janë nga pas, askund nuk shfaqet fytyra e asnjë pacienti dhe as nuk do ta lejoj këtë. I kemi zgjedhur me shumë kujdes fotografitë, që të mos ketë asnjë fytyrë apo diçka tjetër që mund të interpretohet ndryshe. Përndryshe, do t’ju jap edhe një përgjigje për këtë. Nuk e bëj këtë për PR. E bëj këtë që të dal përpara jush, të mos fshihem dhe të flas hapur për gjithçka me të cilën përballemi dhe për gjithçka që ndërmarrim. Nëse kjo është një problem, megjithëse nuk mendoj se kolegët tuaj do të pajtohen me ju, atëherë jam i gatshëm të mbaj përgjegjësi," u përgjigj kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në pyetjen gazetareske nëse ishte e përshtatshme vizita e tij te pacientët e lënduar nga zjarri tragjik në Koçan, të shtruar në Qendrën Klinike "8 Shtatori" në Shkup, apo nëse kjo ishte një keqpërdorim i tragjedisë për qëllime PR-i.
Kryeministri tha se detyra e tij, si i pari i Qeverisë, është t'u drejtohet qytetarëve përmes mediave me mesazhe dhe se nuk po bën asnjë lloj PR-i nga tragjedia.
"Unë i vlerësoj këto mesazhe si të rëndësishme për qytetarët në këto çaste. Dhe ky është qëllimi im. Nuk është qëllimi im të bëj asnjë lloj PR-i. Nuk është e domosdoshme që ju, si media, të publikoni asgjë nga ato që unë them. Nuk është e nevojshme të publikoni asnjë fotografi apo status, kjo është zgjedhja juaj. Por lërini kolegët tuaj të bëjnë punën e tyre dhe më lini mua të bëj timen. Unë ju lë," theksoi Mickoski.
Në lidhje me pyetjen nëse planifikon dhe kur do të shkojë në Koçan për t’u nënshkruar në librin e ngushëllimeve, kryeministri shpjegoi se ai tashmë ka qenë në Koçan pas tragjedisë dhe se do të shkojë përsëri.
"Absolutisht, unë isha atë ditë në Koçan. Do të shkoj përsëri në Koçan, por vlerësoj se për momentin është e nevojshme të jem në Shkup për të marrë vendime. Përndryshe, nuk është aspak problem të shkoj dhe të nënshkruhem dhe mos mendoni se kam frikë nga diçka nëse shkoj në Koçan. Ndërgjegjja ime është e pastër, qëllimi im është i pastër dhe do të bëj gjithçka, pavarësisht kësaj loje të ndyrë që po pretendoni tani, për të shkuar atje dhe për të shprehur ngushëllimet e mia, ashtu siç i shpreha menjëherë në momentet e para të tragjedisë," tha ai.
Kryeministri theksoi se kushdo që ka faj do të mbajë përgjegjësi. Ai apeloi të mos krijohen të pavërteta të cilat nuk kanë asnjë lidhje me realitetin.
"Nëse dhe sa është përgjegjësia e kryetarit të komunës, do ta përcaktojë prokuroria. Kryetari i komunës, në dorëheqjen e tij, shkroi se është në dispozicion për gjithçka, nuk po ikën, është këtu. Është në dispozicion. Sot, me sa di unë, organet hetimore do të hyjnë në komunë dhe do t’i kontrollojnë të gjitha dokumentet. Nëse ju pretendoni tani se ai është nga VMRO dhe ne po e mbrojmë, jo! Gaboheni. Nuk do të mbrojmë askënd, qoftë edhe nëse është Shën VMRO. Edhe po të jem unë, motër, vëllai ta kem, do të mbajë përgjegjësi nëse ka ndonjë faj.
Prandaj thashë edhe dje, përgjegjësi penale do të ketë për të gjithë. Nëse nevojitet përgjegjësi morale apo politike, atëherë më godisni mua! Ja ku jam, unë do të përballem me këtë sfidë. Por së pari, do t’i mposht, ashtu siç i kam mposhtur shumë herë më parë dhe më pas qytetarët në zgjedhje do të vendosin se kush dhe në çfarë mase duhet të mbajë përgjegjësi. Ju lutem vetëm, të mos spekulojmë dhe të mos krijojmë informacione që nuk kanë asnjë lidhje me të vërtetën.
Qoftë edhe Shën VMRO të jetë, nëse ka bërë një gabim, do të mbajë përgjegjësi dhe këtë e kemi treguar dhe vërtetuar në këtë periudhë," shtoi kryeministri.