Të nderuar qytetarë,
Të nderuar media,
Më lejoni t'ju falënderoj të gjithëve që jeni të pranishëm këtu. Sot kemi vendosur të mbajmë një konferencë të përbashkët për shtyp me drejtorin e Fondit të Sigurimit Shëndetësor, z. Sasho Klekovski dhe drejtorin e Spitalit të Përgjithshëm të Qytetit "8 Shtatori", dr. Sinisha Stojanovski.
Do ta filloj këtë konferencë për shtyp me informacione që janë aktuale dhe ka ndryshime nga deklarata e djeshme e dhënë për kontrollet e kryera nga Inspektorati Shtetëror i Tregut.
Në momente si këto, fjalët nuk mjaftojnë – por veprimet duhet të pasojnë.
Siç premtuam, vazhdojmë t'ju informojmë çdo ditë për gjendjen e konstatuar nga kontrolli në terren i Inspektoratit Shtetëror të Tregut në lidhje me licencat e objekteve.
Të dhënat e reja që i kemi deri në këto momente janë si më poshtë:
Inspektimet e fundit kanë konfirmuar shkelje të rënda rregullatore. Faktet janë të qarta: nga kontrolli i djeshëm i 12 objekteve me licencë aktive dhe të vlefshme, deri tani është konstatuar se 3 prej tyre nuk i plotësojnë kushtet, pra as kushtet minimale teknike, por megjithatë kanë licencë aktive për ushtrimin e veprimtarisë. Sa i përket 9 objekteve të tjera, ende po verifikohet dokumentacioni dhe gjatë ditës do të dalim me informacione shtesë. Për këtë situatë, menjëherë do të dërgohet kërkesë deri në Ministrinë e Ekonomisë për heqjen e licencës, ndalesë për ushtrim të veprimtarisë dhe zbatimin e të gjitha masave ndëshkuese të mundshme në përputhje me ligjin. Në terren këto ditë janë mbi 10 ekipe që po kryejnë kontrolle dhe do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme dhe nesër. Do të kontrollohen të gjitha objektet, deri në detaj. Dua ta informoj opinionin se është hartuar edhe një plan për verifikimin e atyre që nuk kanë licencë të vlefshme, por kanë operuar në të kaluarën.
Ajo që ndodhi në Koçan nuk është thjesht një tragjedi e izoluar – është një simptomë e një sistemi të korruptuar të trashëguar nga korrupsioni shumëvjeçar. Nuk do të mbyllim sytë, as nuk do të mbrojmë askënd. Dua të theksoj se e kuptojmë frustrimin. Njerëzit kërkojnë drejtësi dhe do ta marrin atë.