Miteva: Deri tani janë kryer 116 inspektime të jashtëzakonshme në objekte hotelierike – 10 subjekteve u janë shqiptuar ndalesa të përkohshme, 15 u janë hequr licencat, 6 nuk kanë licencë aktive, ndërsa 59 janë gjobiturpër kundërvajtje

"Të nderuar qytetarë,
 
Të nderuar përfaqësues të mediave,

Gjatë ditës së djeshme paralajmërova se sot do të publikojmë një përmbledhje të aktiviteteve të ndërmarra nga ISHT së bashku me të gjitha institucionet kompetente, që kanë të bëjnë me kontrollet e jashtëzakonshme të realizuara. U obliguam se do ta informojmë publikun në mënyrë transparente për rezultatet e mbikëqyrjes institucionale dhe për të gjitha hapat konkretë që po i ndërmarrim dhe ashtu edhe do të vazhdojmë.

Të dhënat më të fundit nga kontrollet e realizuara e tregojnë qartë gjendjen. Sot do t’i prezantoj gjetjet kyçe dhe, ç’ka është më e rëndësishme, do t’i shpalos hapat e ardhshëm që qeveria jonë do t’i ndërmarrë për t’iu përgjigjur sfidave të identifikuara dhe për të siguruar përmirësime afatgjata.

Të dhënat janë si më poshtë:

Ditëve të fundit janë realizuar gjithsej 116 inspektime të jashtëzakonshme, sipas Ligjit për veprimtari hoteliere. Janë ndërmarrë më shumë masa, të shprehura në numra si më poshtë:

- Janë shqiptuar vendime për ndalesë të përkohshme për 10 subjekte juridike (kafene/klube), sipas Ligjit për veprimtari hoteliere (si sanksion për kundërvajtje).

- Është konstatuar se 15 subjekte juridike (nga gjithsej 23) që kanë licencë aktive nuk i plotësojnë kushtet minimale teknike, ndaj për to do të shqiptohen dy masa: ndalim i përkohshëm për ushtrimin e veprimtarisë dhe propozim deri tek Ministria e Ekonomisë për heqje të licencës.

- Tek 6 subjekte juridike që nuk kanë licencë aktive ose u ka skaduar e njejta, por është konstatuar se kanë funksionuar gjatë periudhës së kaluar, janë dhënë vendime për ndalim të kryerjes së veprimtarisë.

- Janë shqiptuar 59 gjoba për kundërvajtje në shumë prej 522.690,00 denarë, për shkelje të tjera të Ligjit për veprimtari hoteliere (si mosrespektimi i normativave të miratuara nga kryetari i komunës, lejet për tarraca, mospublikim të numrit të ITSH-së, etj.).

Sa i përket hapave të ardhshëm, dëshiroj ta informoj publikun se në bashkëpunim me MPB-në, këto ditë do të fillojnë inspektime në objektet që organizojnë ahengje dhe ngjarje, me fokus të veçantë në verifikimin e kushteve minimale teknike dhe kategorizimin e restoranteve, si dhe për dispozita të tjera të Ligjit për veprimtari hoteliere.

Të nderuar,  
Për fat të keq, shifrat flasin vetë, por nga ana tjetër ato e konfirmojnë nevojën për veprim të vendosur dhe të përgjegjshëm. Si qeveri, jemi të përkushtuar ndaj zgjidhjeve reale dhe transparencës së plotë.

Do të kujdesemi që të gjitha institucionet të veprojnë sipas ligjit, çdo parregullsi të eliminohet dhe të sanksionohet, ndërsa opinioni të informohet rregullisht për avancimin. Qëllimi ynë nuk është vetëm të reagojmë, por të krijojmë një sistem që vepron në mënyrë preventive dhe u shërben qytetarëve.

Ju faleminderit."